Ekonomi
Kuvend, VMRO dhe LSDM vazhdojnë përplasjet për buxhetin
19.11.2015 17:33
Debati mbi buxhetin e vitit të ardhshëm sërish shkaktoi përplasje mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së...

Sipas deputetëve të partisë maqedonase në pushtet, me buxhetin e vitit 2016 parashihen rritje të bruto prodhimit vendor dhe mjeteve për investime kapitale, si dhe projekte që do të ndërtohen në fushën e shëndetësisë.
Nga ana tjetër, opozita ka akuzuar qeverinë se 10 vite me radhë prioritet kanë pasur projekte joprofitabile, siç është “Shkupi 2014” dhe kanë lënë anash projektet për të cilat kanë nevojë qytetarët.
“Mjetet e buxhetit për vitin 2016 të Ministrisë së Shëndetësisë janë të dedikuara për rekonstruim dhe rindërtimin e objekteve publike shëndetësore të Maqedonisë, projekt i cili do të ndikojë në përmirësimin e kualitetit të shërbimit në këto objekte shëndetësore”- tha Vesna Pimova nga VMRO-DPMNE.
“Jeni 10 vite në qeveri dhe tani ju premtoni ndërtimin e spitaleve, rrugëve dhe urave. Më shumë se 600 milion euro keni shpenzuar për projektin e ashtuquajtur “Shkupi 2014”, për marrëzira”- theksoi Goran Sugarevski nga LSDM.
Gjithashtu opozita kritikoi pushtetin që mos të mburret me investime, duke akuzuar ministrin Stavrevski dhe VMRO-DPMNE-në se i ka dhuruar BDI-së Zonën Industriale në Tetovë.
Por, nga pushteti kanë thënë se me investime kanë siguruar ekzistencën e mijëra familjeve.
“A e dini se kujt ministri dhe kumbara e tij ia kanë dhënë Zonën Industriale në Tetovë? Partnerit të tyre të koalicionit, BDI-së. Për atë asnjëri nga deputetët e BDI-së nuk është lajmëruar për të folur diçka për buxhetin, për të kërkuar edhe ata mjete të caktuara. Por, unë po u tregoj se ndoshta 20% prej buxhetit ata e kanë marrë”- u shpreh Stojko Paunovski nga LSDM.
“Me ndihmën e VMRO-DPMNE-së, në Kavadar ka ardhur “Draexlmaier” si investim dhe unë jam krenare se u kemi siguruar ekzistencën 5000 familjeve”- deklaroi Vesna Pimova nga VMRO-DPMNE.
Sot ishte dita e katërt e debatit për buxhetin e vitit 2016, ndërsa nesër është dita e fundit e debatit kur edhe pritet të miratohet buxheti për vitin 2016.
ERSAN PAJAZITI
