Botë

Terrorizmi, Valls: Franca, në rrezik nga sulmet bio-terroriste; ISIS kërcënon me sulme edhe Nju Jorkun, frikë nga aktet e mundshme terroriste edhe në Romë

19.11.2015 17:40

Autoritetet franceze kanë bërë të ditur se është vrarë organizatori i dyshuar i sulmeve terroriste në Paris...

Ai është vrarë gjatë bastisjes policore në lagjen “Saint Denis” të Parisit një ditë më parë.
 
Prokurori i Parisit, Francois Molins, ka thënë se Abdelhamid Abaaoud nga Belgjika është në mesin e dy personave të vrarë të mërkurën. Personi i dytë i vrarë është një grua që ka hedhur veten në erë.
 
Gjatë bastisjes, autoritetet kanë arrestuar edhe tetë të dyshuar për përfshirje në sulmet në Paris, të cilat kanë lënë të vrarë 129 persona dhe mbi 350 të plagosur. 
 
Ndërkohë, kryeministri francez, Manuel Valls, ka paralajmëruar se Franca mund të përballet me sulme terroriste biologjike ose kimike nga grupet islamike. Këtë deklaratë Valls e ka bërë gjatë një fjalimi në parlament përpara votimit të zgjatjes së gjendjes së jashtëzakonshme në vend. 
 
“Risi janë mënyrat e veprimit. Mënyrat e përdorura për të goditur e vrarë janë përgjatë gjithë kohës në zhvillim. Imagjinata makabre e atyre që japin urdhrat është e pakufizuar: sulme të armatosura, prerje koke, atentatorë vetëvrasës, thika, ose të gjitha këto së bashku”-deklaroi kryeministri francez, Manuel Valls.
 
Qeveria franceze i ka kërkuar parlamentit të zgjasë për 3 muaj të tjerë fuqitë e zgjeruara që i jep gjendja e jashtëzakonshme autoriteteve të sigurisë.
 
Ekzekutivi nuk ngurron të argumentojë se në kohë krize, siç është kjo aktuale, ekuilibri mes lirive dhe sigurisë publike duhet ndryshuar.
 
Dhe kjo nënkupton mes masash të tjera të ashpra edhe një prani masive uniformash ushtarake e policore në rrugët e qyteteve franceze, të përqendruara sidomos në ambiente të tilla grumbullimesh publike, si muzetë, galeritë e artit, apo dhe vende të tjera të rrezikuara.
 
Valls kërkoi gjithashtu nga Evropa adoptimin e masave urgjente sa i takon ndarjes së informacioneve mbi pasagjerët e linjave ajrore, si mënyra për të garantuar më mirë sigurinë kolektive. 
 
Edhe policia belge njofton për bastisje në 6 ambiente në dhe përreth Brukselit, të cilat i lidhë me dy nga të dyshuarit e sulmeve në Paris: Bilal Hadfi dhe Salah Abdeslam. 
 
Ndërkohë, autoritetet në Shtetet e Bashkuara kanë bërë përpjekje të qetësojnë frikën, pasi në një video të grupit militant “Shteti Islamik” është thënë se Nju Jorku është cak potencial i sulmit terrorist. Kryetari i Nju Jorkut, Bill de Blasio, dhe komisionari i policisë,  William Batton, kanë thënë se në video “nuk ka kërcënim specifik dhe të besueshëm”. 
 
Frika e terrorizmit ka prekur edhe kryeqendrën italiane, pasi në një metro në Romë për herë të dytë është dhënë një alarm i rremë për bombë.
 
Alarmi i sotëm vjen pas atij alarmit të mbrëmshëm kur shkaktoi panik një çantë e braktisur pranë Ambasadës amerikane në rrugën “Veneto” në Romë.
 
BELINDA KOKA-ADEMI