Maqedoni
Grupi punues, s’ka përafrim qëndrimesh për çështjen e mediave
19.11.2015 17:52
Partitë politike as në takimin e sotëm nuk kanë arritur vendime konkrete mbi çështjen e mediave...

Përpos çështjeve të hapura për rregullimin e servisit publik dhe reklamimit shtetëror, është diskutuar edhe mbi prodhimin mediatik vendor.
Për këtë çështje janë përplasur partitë në pushtet. VMRO-DPMNE nuk ka përkrahur kërkesën e BDI-së që mediat me ligj të obligohen të prodhojnë produkt vendor deri në 30%.
PDSh ka kërkuar që produkti mediatik i prodhuar në vend të mos etiketohet si i tillë.
Sa i përket financimit të servisit publik, partitë janë për heqjen e taksave radio-difuzive dhe financim nga buxheti, por as për këtë çështje nuk ka vendim final.
PDSh ka propozuar që të ndërtohet emri i MRTV-së, udhëheqësinë e saj ta propozojë opozita, zëvendësdrejtori dhe drejtori të ndajnë kompetenca të barabarta në vendimmarrje, ndërkaq Servisi i Dytë Publik dhe Radio Shkupi të emetojnë program 24 orësh në gjuhën shqipe.
BDI ka kërkuar që Servisi i Dytë Publik të jetë i pavarur nga aspekti i drejtimit, por edhe financave.
Këshillin e Agjencisë së Mediave, sipas PDSh-së, do të duhet ta propozojnë shoqatat e gazetarëve bashkë me partitë opozitare.
Ata gjithashtu kërkojnë që drejtori dhe zëvendësi i tij në këtë institucion të kenë të njëjtat kompetenca.
Ndërkohë që pozicionet e partive politike nuk kanë ndryshuar edhe për reklamimin qeveritar për sa i përket përbërjes së reklamës, mediave, ku duhet transmetuar dhe metodologjisë së reklamimit.
Mbeten hapur dilemat se reklamimi qeveritar të realizohet vetëm në servisin publik apo edhe në mediat tjera private, si dhe kjo të bëhet vetëm sipas shikueshmërisë së medias, ashtu siç ka propozuar VMRO-DPMNE-ja.
Afati për t’u definuar gjitha këto çështje skadon nesër.
MERAL ISMAILI
