Botë

Opozita në Kosovë, Thaçi: Policia po zbaton vetëm ligjin, opozita bëri kërcënime publike

19.11.2015 18:08

Policia e Kosovës dje është vënë në shërbim që të arrestojë të zgjedhurit e popullit nga radhët e opozitës.

Ky ka qenë vlerësimi i tre liderëve të opozitës në pres konferencën e përbashkët rreth tensioneve të djeshme në Prishtinë, pas arrestimit të deputetes së AAK-së, Donika Kada-Bujupi, të cilës iu shqiptua masa 30 ditë paraburgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe bastisjes së shtëpive të tre deputetëve të Vetëvendosjes.
 
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se dje ka ndodhur një reagim i aktivistëve, përkrahësve të partive politike dhe deputetëve, ndërsa kundërshtimi i opozitës do të vazhdojë edhe nëse pushteti është në gjendje të burgosë tërë opozitën.
 
“Njerëzit që kundërshtojnë politikisht shumë tema të dëmshme, ndër to edhe “Zaednicën” dhe demarkacionin, dje kanë sulmuar në familjet e tyre. Janë sulmuar në mënyrën më brutale nga Policia e Kosovës, kuptohet nga urdhërdhënësit e tyre: Mustafa,Thaçi, Veseli, Shpend Maxhuni etj... Por, thirrja ime për ta është: ndaluni sa nuk është bërë më vonë për Kosovën! Zakonisht kur të thyhet dera e shtëpisë mos të mendojë ai tjetri se e ka shtëpinë e qetë. Kjo porosi ka vlejtur gjithmonë te shqiptarët, kur e thyen derën e atij tjetrit, duhet të mendosh se të thyhet edhe dera jote!”- deklaroi kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.   
 
“I bëjmë thirrje edhe njëherë Policisë së Kosovës, më saktësisht komandantëve të policisë, të mos bëhen instrument në duart e këtij pushteti, i cili për çdo ditë e më shumë po merr përmasa kriminale”- theksoi kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.  
 
“Skenat që kemi parë, vandalizmin e Hashimit dhe Isës në raport me deputetët, e keni parë me çfarë vandalizmi është thyer shtëpia e një deputeti, me çfarë numri të forcave është arrestuar një grua deputete, prandaj situata e djeshme në të ashtuquajturën Prokurori të Kosovës tregon më së miri se këtu kemi të bëjmë me një byro politike, që e ka kapur në dorë çdo segment që ne e njohim si shtet”- u shpreh kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj.  
                                                                                                                                 
Por, ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, ka lavdëruar punën e policisë, duke mohuar se policia po merr urdhra politike për arrestimin e deputetëve të opozitës dhe ndërhyrjet e ditëve të fundit. Po ashtu ministri Hyseni nuk e di se kur do të arrestohet deputeti, Albin Kurti, dhe deputetët tjerë të Vetëvendosjes, për të cilët tashmë ka një fletëarrest nga gjykata.
 
Sipas tij, për këta do të vendosë Policia e Kosovës.     
 
“Kërkesa ime eksplicite për Policinë e Kosovës është: zbatojeni ligjin!.. As më pak e as më shumë. Të kërkosh zbatim ligji nuk është urdhër politik, është obligim kushtetues i ministrit të Brendshëm që t’i kërkojë policisë së vendit, zbatimin konsekuent të ligjit dhe ruajtjen e ligjit”- tha ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Skender Hyseni.        
                                              
Për zëvendëskryeministrin e Kosovës, njëherit edhe kryetar i PDK-së, Hashim Thaçi, opozita e frustruar dhe e dhunshme bëri publike se sot tërhiqet nga protestat e dhunshme për marrjen e pushtetit me dhunë. 
 
“Natyrisht, nuk harruan të bëjnë kërcënime publike ndaj zyrtarëve më të lartë shtetërorë, duke u thirrur në logjikën e kanuneve provinciale. Opozita sot vendosi të mos vazhdojë shkatërrimin e institucioneve shtetërore, pronës publike dhe private, jo për shkak se e kanë kuptuar se sa të dënueshme janë veprimet e tyre të dhunshme”- shkruan Thaçi në Facebook.
 
Protesta e radhës e opozitës në Kosovë është paralajmëruar për 28 Nëntor. 
 
GYLTENE SINANI