Botë

Kamikazja e parë që u hodh në erë në Europë

19.11.2015 19:04

Ishte e para grua kamikaze që u hodh në erë në territorin europian 26-vjeçarja në lagjen Saint Denis të Parisit...

Mediat europiane kanë publikuar foton e saj ku duket fare mirë fytyra dhe ngjyra e flokëve, që edhe pse të mbledhur e të mbuluar me shami janë të verdha. 
 
Vajza quhet Hasna Aitboulahcen dhe është kushërirë e Abdelhamiad Abaaoud, kreu i grupit të terroristëve që çoi deri në fund atentatet e 13 nëntorit në Paris, që u morën jetën 129 personave. 
 
Vajza vdiq të mërkurën në mëngjes, rreth orës 04:30, gjatë operacionit të forcave speciale franceze në Saint Denis. 
 
Ajo u kap në befasi nga komandot e armatosur dhe pas një shkëmbimi zjarri dhe një dialog të shkurtër me ta shtypi detonatorin dhe u hodh në erë. 
 
Bashkë me të mbetën të vrarë edhe dy terroristë, një prej të cilëve gjithashtu i afërm i Abaaoud, ndërsa disa të tjerë u arrestuan. 
 
Hetuesit deklaruan se grupi i neutralizuar në Saint Denis ishte gati të kryente sulme në territorin francez.
 
Hansa ishte një vajzë e lindur dhe e rritur në Paris dhe pronare e një firme ndërtimi deri në vitin 2012. 
 
Prej kohësh ajo ishte bërë objekt i përgjimeve të inteligjencës franceze dhe pikërisht falë kësaj pune hetuesit arritën ta lokalizonin dhe të kryenin operacionin. 
 
Sipas hetuesve, 26-vjeçarja nuk kishte qenë kurrë në Siri, por ishte shprehur e gatshme të kryente atentate në Francë./Top Channel