Botë

Masat kundër terrorizmit, Franca kërkon më shumë angazhim nga të gjithë

20.11.2015 13:52

Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve, u bën thirrje vendeve evropiane të zgjohen përballë kërcënimit terrorist, të organizohen e të mbrojnë veten....

Kjo thirrje vjen pas të dhënave se “truri” i sulmeve të Parisit, belgu me origjinë marokene, Abdelhamid Abaaoud, kishte hyrë pa vështirësi në Francë. 
 
Një prej atentatorëve që hodhën veten në erë, në kryeqytetin francez, një javë më parë, ishte regjistruar në Greqi si emigrant.  
 
“Autoritetet franceze nuk kanë marrë asnjë paralajmërim nga shtetet e tjera evropiane për mbërritjen e këtij eksponenti të rëndësishëm të ISIS-it në Evropë. Informacionet se Abaaoud kishte kaluar nëpërmjet Greqisë gjatë kthimit të tij nga Siria, Franca i mori vetëm 3 ditë pas sulmeve të Parisit nga shërbimet inteligjente të një shteti joevropian, Serbisë”- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme të Francës, Bernard Cazeneuve.
 
Në përgjigje të ngjarjes së rëndë, ministrat e Brendshëm të Bashkimit Evropian kërkojnë përforcimi të kufijve të jashtëm të “Schengen”-it.
 
“Besoj se tani duhet të krijojmë bazën për një shërbim inteligjence evropiane. Bashkëpunimi ynë duhet të mbështetet në besimin tek njëri-tjetri dhe në efikasitet më të madh në këmbimin e informacioneve”- tha Dimitrios Avramopoulos nga Komisioni i Ke-së për Migrim.
 
“Parlamenti belg ka marrë masa shtesë për të parandaluar fenomenin e terrorizmit. Një pako prej 18 masash, që shpresojmë të kenë sukses, por që mund të shtohen nëse paraqitet nevoja”- theksoi ministri i Brendshëm i Belgjikës, Jan Jambon.
 
“Në të gjitha masat që ndërmarrim duhet të bëjmë të qartë se nuk po sulmojmë religjionin. 80% e viktimave të ISIS-it janë myslimanë dhe ne jemi përkrah tyre të luftojmë terrorizmin”- u shpreh ministri i Brendshëm i  Suedisë, Anders Ygeman.
 
Shefi i inteligjencës gjermane, Hans-Georg Maassen, alarmon mbi rrezikun e një lufte botërore që ka në sfond terrorizmin.
 
Sipas tij, çdo shteti tjetër të Evropës i duhet të prezumojë, sepse ajo që ndodhi në Paris mund të ndodhë nga çasti në çast edhe diku tjetër. 
 
REXHEP QAMILI