Kulturë
Instituti i modës ”Izet Curi”, projekt evropian në fushën e modës
20.11.2015 16:20
Instituti i modës “Izet Curi” në bashkëpunim me komunën e Çairit kanë ndarë certifikatat e para për mbarimin e trajnimit...

Instituti i modës “Izet Curi” në bashkëpunim me komunën e Çairit kanë ndarë certifikatat e para për mbarimin e trajnimit të pjesëmarrësve të kurseve për modelim, stilizim, pamje dhe qepje.
Për krijuesin e këtij instituti, kreatorin e mirënjohur, Izet Curri, është kënaqësi që dizajnerët më të mirë të Ballkanit janë shqiptarë.
“Ne do të bashkëpunojmë që të japim një frymë internacionale, mos të jetë ajo lokale, sepse ne jemi shtete të vogla dhe ne nuk mund të prodhojmë dizajnerë. Ka 100 ose 500, por ne jemi popull me fat që kemi rini të talentuar”- deklaroi kreatori i modës, Izet Curi.
Edhe për kreun e Çairit, Izet Mexhitin, me këtë akademi mode në Shkup ka ardhur një projekt evropian, që po i jep një frymë të re Çarshisë së Vjetër.
Sipas tij, Çairi nuk ka hapësirë për biznese të mëdha, por bizneset e vogla familjare ndikojnë në uljen e papunësisë.
10 gra të papunësuara, të cilat kanë vijuar kursin në institutin e modës “Izet Curi”, tani më kanë hapur biznes të tyre me nga 1 punëtor.
“Në këtë mënyrë ato janë të afta për ekzistencë, si dhe për t’u futur në odën e modës dhe drejtpërdrejtë të kontribuojnë në problemin më të madh në Maqedoni, problemin më të madh në komunën e Çairit për zbutjen e papunësisë në këtë mënyrë”- tha kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Femrat që u pajisën me certifikata thonë se kjo akademi do t’i ndihmojë shumë në jetë dhe shpresojnë që do të kenë hapësirë për punë në të ardhmen.
“Krejt gjërat elementare i kemi mësuar që duhet të dinë gjithë femrat, jo për të gjithë, por të paktën për vete. Unë dizajnin e kisha vazhduar me dëshirë”- theksoi dizajnerja, Ajnur Shabani.
Akademia “Curri” ekziston edhe në Prishtinë dhe në Tiranë. Në të ardhmen pritet të shtrihet edhe në vende të tjera.
REJHANE BUSHI-METAJ
