Maqedoni

UShT akademi për Kongresin e Manastirit, përkujtohet sakrifica për alfabetin e unisuar

20.11.2015 16:26

UShT iu bashkëngjit me një akademi solemne aktiviteteve të “Javës së alfabetit”, në prag të 107 vjetorit të Kongresit të Manastirit...

Pjesëmarrësit në të përkujtuan rrugën e vështirë të atdhetarëve tanë deri në krijimin e një alfabeti të unisuar për të gjithë shqiptarët.
 
“Kongresi i Manastirit në 1908 mbylli një epokë të tërë në historinë e kulturës shqiptare. Kurorëzoi me sukses përpjekjet që mendjet më të ndritura të kombit shqiptar bënë gjatë shekujve për shkrimin dhe lëvrimin e gjuhës shqipe, për përmirësimin e vazhdueshëm të sistemit grafik të saj, për të përpunuar një alfabet sa më të saktë dhe të përshtatshëm për gjuhën shqipe dhe të përbashkët për gjithë shqiptarët”- deklaroi prof.dr. Izmit Durmishi.
 
“Rruga e alfabetit të shqipes ka qenë e gjatë dhe e vështirë,  ajo është shtruar me gjakun dhe eshtrat e martirëve të ngritur të diturisë,   të flijuar, të vetëdijshëm nga dhëmbëzorët e pushteteve satrape që kishin zët shqiptarin zot të vetvetes, shqiptarin e qytetëruar nga auditorët shkollorë, shqiptarin e ndërgjegjësuar që të punojë më shumë për vete se sa për tjerët. Këto janë shkaqet se kombi më kultivues, i hershëm, me kulturë dhe letërsi arriti të konsolidojë alfabetin vetëm në fillim të shekullit XX”- tha dekani i Fakultetit Filologjik, Fatmir Sulejmani.
 
Prej 14 nëntor deri më 22 nëntor 1908, në Manastir u arrit unifikimi i alfabetit të gjuhës shqipe. Kjo datë po përkujtohet me manifestime të ndryshme në të gjitha trojet shqiptare.
 
VISAR SADIKI