Maqedoni

Kriza me refugjatët sjell Tusk në Maqedoni

20.11.2015 16:56

President i Këshillit Evropian, Donald Tusk, këtë fundjavë do të ndërmarrë një tur ballkanik me fokus çështjet e emigracionit në BE, si dhe ato ballkanike...

Tusk do të ndalojë në Maqedoni ditën e diel, kur pritet të takojë presidentin, Gjorge Ivanov, dhe kryeministrin, Nikolla Gruevski. 
 
Vendimi i menjëhershëm për të vizituar Ballkanin vjen pas paralajmërimeve për mbylljen e kufijve për emigrantët ekonomik, të cilët u bashkëngjiteshin refugjatëve nga vendet e krizës në rrugëtimin drejt vendeve të BE-së. 
 
Takimet e presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, me kreun shtetëror të vendit do të realizohen të dielën pasdite, pasi Tusk të ketë përfunduar vizitën në Shqipëri dhe Serbi.
 
Në lidhje me këtë vizitë, kryeministri, Nikolla Gruevski, ka deklaruar se Republika e Maqedonisë kërkon nga fqinjët e Unionit Evropian dhe partnerët ndërkombëtarë që të bashkëpunojnë për të ndërtuar dhe zbatuar një qasje të koordinuar për krizën e refugjatëve, në të mirë të sigurisë dhe mbrojtjes humanitare.
 
Vizita e Donald Tusk në 3 shtete ballkanike merr një rëndësi të posaçme për mesazhet që do të përcjellë, në mënyrë të veçantë për të ardhmen e lëvizjes së lirë në zonën Shengen, pas propozimeve për rivendosjen e kontrolleve kufitare.
 
Një ditë më pas, presidenti Ivanov do të udhëtojë për Bruksel, ku do të takojë nënkryetarin e KE-së, Frans Timermans, dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
 
SHPËTIM NUREDINI