Maqedoni
ShGM: Përfshirje në bisedime ose fillojmë protestat; Vanhojt për ligjin për mediat: Zgjidhja gjendet duke përmirësuar ligjet
20.11.2015 17:16
Shoqata dhe Sindikata e Gazetarëve kërkojnë nga ndërmjetësi, Piter Vanhojt, që t’i përfshijë ata në bisedimet për mediat...

Kryetari i ShGM-së, Naser Selmani, thotë se nevoja për përfshirjen e drejtpërdrejtë në bisedime vjen pas marrjes së vendimit skandaloz për mediat në kuadër të Kodit Zgjedhor, që u miratua me procedurë të përshpejtuar në kuvend.
ShGM dhe Sindikata e Gazetarëve kundërshtojnë këto ndryshime të cilat trajtojnë portalet si media dhe për shkelje të gjobiten në vlerë prej 8 mijë euro.
“Dënim prej 8 mijë eurosh ndaj portaleve apo mediave të shtypura do të thotë mbylljen e tyre, që ne nuk guxojmë ta tolerojmë në asnjë mënyrë. Ftojmë ndërmjetësin, Piter Vanhojt, menjëherë të përfshijë përfaqësuesit e gazetarëve dhe mediave në bisedime. Është e papranueshme që partitë politike të vendosin për fatin e mediave pas shpinës së gazetarëve dhe mediave”- deklaroi kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.
“Ne organizatat e mediave jemi bashkë dhe nuk kemi ndërmend të heshtim dhe të lejojmë të merren vendime në dyer të mbyllura nga ata të cilët rregullimin e kuptojnë si tentim për dënime, censurë dhe drejtësi selektive. Sindikata e Gazetarëve është kundër përfshirjes së portaleve në rregullim”- theksoi kryetarja e Sindikatës së Gazetarëve, Tamara Çausidis.
Ilija Dimovski nga VMRO–DPMNE tha se dënimi në këtë formë i portaleve ka qenë propozim i palëve të tjera në bisedime.
Ata janë për përcaktim të dënimit në bazë të madhësisë së medias, por edhe numrit të të punësuarve.
“Ne bisedojmë me shumë përfaqësues të fushës së medias dhe nuk mund të them për përfshirjen e ShGM-së në bisedime, pasi që kjo varet nga vendimi i përbashkët i të gjitha palëve”- u shpreh përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski.
Palët në bisedime sot veç më shkelën afatin e fundit për përmbylljen e çështjes së medias.
Ndërmjetësi, Piter Vanhojt, pret zgjidhje javën që vjen dhe kjo zgjidhje, sipas tij, bëhet duke i përmirësuar ligjet.
“Nuk mund të përmirësohet sistemi vetëm me ndërtimin e disa njerëzve, por do të duhet që të bëhet më shumë në këtë drejtim. Kjo është porosia që e kanë kuptuar edhe partitë politike. Megjithatë presim që javën tjetër të rishikojmë të gjitha propozimet për të gjetur zgjidhje”- u shpreh ndërmjetësi në bisedime, Piter Vanhojt.
Nga ShGM kërcënohen me protesta para klubit të deputetëve nëse nuk korrigjohen ndryshimet e miratuara në kodin zgjedhor në pjesën e mediave dhe nëse ata nuk përfshihen në bisedime.
Selmani nuk përjashton mundësinë që të ftojë mediat dhe gazetarët t’i bojkotojnë zgjidhjet eventuale që do të marrin partitë politike.
MERAL ISMAILI
