Maqedoni
“Java e alfabetit”, ITKShShM përkujton veprën e Fan Nolit
20.11.2015 17:46
Shqiptarët të lënë anash ndasitë dhe të veprojnë ashtu siç kanë vepruar figurat e shquara për shqipen dhe shqiptarët...

Ky është mesazhi që u përcoll me rastin e festave të nëntorit dhe 50 vjetorit të vdekjes së Fan S.Nolit, në tribunën shkencore me temë “Fan S.Noli – figurë emblematike për shqipen dhe shqiptarët”.
Drejtori i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup tha se angazhimi i Nolit jo vetëm në letërsi, por edhe në histori, kulturë, politikë e religjion reflektohet edhe sot.
“Atë që bëri Noli për kishën autoqefale shqiptare, për kulturën, për historinë dhe për traditën shqiptare, atë që bëri Gjergj Fishta për kishën katolike, për shqiptarët, kulturën për jetën dhe dashurinë mes shqiptarëve në kohën e sotme reflekton angazhimi i tyre në të gjitha aspektet. Apeli nga kjo konferencë është që shqiptarët të duhen, shqiptarët t’i lënë anash mosmarrëveshjet, shqiptarët t’i lënë anash konfliktet dhe të shkojnë drejt ardhmërisë se ajo e çon popullin, shqiptarët atje ku duhet të jetë, në konceptet evropiane”- deklaroi drejtori i ITKShShM-së, Skender Asani.
Prijësi i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, me seli në Elbasan, At Nikollë Marku, njëri nga pasuesit e frymës kombëtare të Nolit, ndjehet krenar që figura e Nolit nderohet dhe kujtohet edhe në Maqedoni.
“Si klerik që jam, si njeri që punoj me përkushtim për çështjen kombëtare, sidomos në fushën e klerit ortodokse dhe shqiptare, u mrekullova sot kur pash komentuesit që i mëshonin shumë teorisë noliane, pra gjigantit dhe arkitektit të Kishës Ortodokse Autoqefale Kombëtare Shqiptare. Që të gjithë të bëmat dhe gjithë veprimtaria e Nolit ka qenë në tërësinë e saj për të pasur një kishë ortodokse indipendente shqiptare. Dhe kjo kishë aktualisht sot ndodhet në Elbasan. Unë i njoftoj shqiptarët kudo që ndodhen, se vjen një moment historik i shumëpritur, që kisha ortodokse kombëtare shqiptare të shkojë te ajo që kërkoj Noli dhe populli, dhe për të cilën Noli u përkushtua dhe dha jetën e tij”- tha prijësi i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare në Elbasan, At Nikollë Marku.
Studiues të njohur të veprimtarisë së Fan Nolit, gjatë tribunës prezantuan kontributet e tyre shkencore lidhur me jetën dhe veprën e tij.
Të gjitha kumtesat do të botohen në një nga numrat e radhës së revistës periodike shkencore “Scupi”.
Ndërsa dekani i Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë së Universitetit “Fan S.Noli” të Korçës, Ali Jashari, për nevojat e ITKShShM-së dhuroi disa botime shkencore.
SANIJE KASAMI
