Maqedoni
Kriza e refugjatëve, BE: Duhen strategji nacionale për përballje
20.11.2015 17:59
Maqedonia në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare është duke u përballur mirë me situatën në kuptimin e menaxhimit të fluksit të refugjatëve...

Mbetet obligim i vendeve të rajonit që të hartojnë qasje të re dhe mekanizëm, madje edhe strategji për t’u përballur me qarkullimin e tyre.
Ky është konstatimi i përbashkët gjatë një debati të hapur kushtuar krizës me refugjatët.
“Mendoj se deri më tani Maqedonia është duke e menaxhuar mirë situatën me fluksin e refugjatëve. Duhet të bëhet përgatitje e shpejtë edhe për kushtet e dimrit, për mbajtjen e më shumë refugjatëve brenda shtetit, sepse shohim se në veri dalëngadalë po mbyllen kufijtë dhe po pengohet lëvizja, sidomos e atyre që nuk vijnë nga Siria apo vende të tjera të përfshira nga konflikti”- deklaroi Aleksandar Kërzallovski nga QMBN.
“Kjo është një krizë globale. Edhe ne po përballemi me të njëjtën sfidë. Më shumë se 1 miliardë dollarë janë mobilizuar për këtë qëllim, ndërsa vendet anëtare japin mënyra të ndryshme të ndihmave për refugjatët. Mendoj se duhet të rritet roli i shoqërisë civile”- tha Jaromir Leviçik nga BE.
Përfaqësuesit e UNCHR-së janë 24 orë në vendkalimin kufitar me Greqinë, me qëllim që autoritetet më lehtë të përballen me gjendjen e krijuar.
“Ajo që më së shumti shqetëson është se më shumë se gjysma e refugjatëve janë fëmijë. Më duhet të theksoj se roli i shoqërisë civile në të gjitha aktivitetet ishte shumë i rëndësishëm. Ata ishin atje të pranishëm kur nuk ishte askush”- theksoi Muhamed Arif nga UNCHR.
Ditëve të fundit vërehet ulje e numrit të sirianëve, ndërsa rritje e numrit të afganëve, tha Sonja Bozhinovska nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim.
Në Greqi refugjatët arrijnë nga Lindja e Afërt, duke shfrytëzuar vendet e Ballkanit Perëndimor si transit për në vendet e Evropës Perëndimore.
NAIM RAMADANI
