Maqedoni

Kuvendi diskuton buxhetin 2016

20.11.2015 18:17

Me akuza të ndërsjella në mes pushtetit dhe opozitës, ka kaluar edhe dita e fundit e debatit për propozim-buxhetin e vitit 2016...

Sipas pozitës, propozim-buxheti i vitit 2016 është në pajtim me nevojat e qytetarëve dhe, sipas tyre, me këtë buxhet do të ketë rritje të investimeve kapitale.
 
Për opozitën buxheti është joracional dhe, sipas tyre, me këtë buxhet do të rritet huamarrja.
 
LSDM ka akuzuar se buxheti është jotransparent, por grupi parlamentar i BDI-së është deklaruar se buxheti është transparent dhe për këtë shkak ata do ta mbështesin këtë propozim-buxhet. 
 
“Është e paqartë se për shpenzime të udhëtimit të shpenzohen mbi 15 milion euro, e 300 mijë euro, apo 622.000 euro më shumë se në 2015. Nëse i shohim këto shpenzime edhe në aspektin e shfrytëzuesve të buxhetit, e bëjnë këtë buxhet jotransparent”- deklaroi Jovan Mitrevski nga LSDM.
 
“Anketa e fundit e cila është bërë sot tek qytetarët e Maqedonisë, flet se 42% e qytetarëve të këtij vendi janë të interesuar për aspektin ekonomik të këtij vendi, kurse 28% ju intereson më shumë politika dhe kjo jep një dëshmi se ky koalicion, kjo qeveri është në rrugën e mbarë të zhvillimeve ekonomike të këtij vendi, për atë arsye mendoj se e meriton përkrahjen e grupit parlamentar të BDI-së”- tha Rexhail Ismaili nga BDI.
 
Sipas propozimit, shpenzimet e përgjithshme janë projektuar në 195.788 milionë denarë, të cilat janë për 4,7 për qind më të larta në krahasim me ato në vitin 2015, ndërsa të ardhurat e përgjithshme janë projektuar në 176.804 milionë denarë, ku ka rritje për gjashtë për qind në krahasim me vitin 2015.
 
Rritja e ekonomisë pritet të jetë katër për qind nga BPV, ndërsa inflacioni dy për qind.
 
ERSAN PAJAZITI