Botë
Mali, përfundon drama e pengmarrjes, 18 të vdekur, mes tyre 3 nga sulmuesit
20.11.2015 18:31
Pas orëve të tëra të tmerrit, forcat speciale kanë arritur të lirojnë 155 pengjet që mbaheshin në hotelin “Radisson Blu”, në kryeqytetin e Malit...

Por, këtë fat nuk e kanë pasur 15 pengje që mbetën të vrarë gjatë operacionit policor për shpëtimin e tyre.
Gjatë aksionit u vranë edhe tre prej sulmuesve. Përgjegjësinë për këtë pengmarrje e mori grupi al-Murabitoun.
Hoteli u sulmua mëngjesin e së premtes nga persona të armatosur, të cilët arritën të marrin peng gati 170 persona.
Policia e rrethoi me urgjencë ndërtesën, ku agresorët kanë hyrë duke thirrur në arabisht “Zoti është i madh!”, ndërsa pas disa orësh ata kanë marrë vendimin të ndërhyjnë.
Mes pengjeve ka pasur edhe shtetas turq, indianë e të paktën 10 kinezë.
“Radissoni” me pronarë amerikanë është një hotel i përdorur përgjithësisht nga të huaj që punojnë në Mali.
Në muajin gusht, një i dyshuar si islamik hapi zjarr e vrau 13 vetë, 5 nga të cilët punonjës të Kombeve të Bashkuara gjatë një episodi të ngjashëm në një hotel të qytetit Sevare.
Franca, ish fuqi kolonizatore e këtij vendi, ndërhyri atje ushtarakisht janarin e 2013-s, kur militantë të lidhur me Al Kaedën kërcënuan të marshonin drejt Bamakos, pasi kishin marrë nën kontroll pothuajse të gjithë rajonet veriore.
