Shënohet 107 vjetori i alfabetit të gjuhës shqipe
Në organizim të Forumit rinor të BDI-së sot me rastin e aktiviteteve të 107 vjetorit të Alfabetit Shqip, motoja e sivjetshme e së cilës është "Drejt rrugës së shkronjave për Manastir" do të mbahet Tribunë shkencore me temë "Rinia dhe Arsimi"...

Në Tribunën, e cila do të mbahet në Muzeun e Alfabetit në Manastir me fillim në ora 15.00 do të marrin pjesë përfaqësues të Forumeve rinore të partive politike shqiptare nga rajoni.
Ndërkohë, aktiviteti qendror do të mbahet nesër në orën 19:00, në sallën e madhe të Qendrës së Kulturës në Manastir, ku për herë të parë do të prezantohet orkestra e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të Republikës së Shqipërisë. Në këtë mënyrë do të kurorëzohet marrëveshja ndërkulturore mes Ministrisë së Kulturës së Republikës së Maqedonisë dhe asaj të Shqipërisë.
"Repertori i përgatitur është i punuar enkas për këtë ditë. Solistët janë emra të shquar të skenës sonë përfshirë, Shkodran Tolaj - tenor dhe një prej zërave më të mirë që kemi, Vikena Kamenica, e cila vjen nga Opera e Shqipërisë, Armando Likaj - bas si dhe pianisti jonë nga Maqedonia, Shkëlzen Bahtijari. Dirigjent i orkestrës është maestro i Teatrit të Operës nga Shqipëria, Edmond Doko", theksoi sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi.
Pritet, sipas Shehapit që të pranishëm në këtë eveniment të jenë udhëheqës institucionesh shtetërore nga të dy vendet duke shënuar kështu një prej sukseseve më të mëdha në aspektin artistik dhe kombëtar.
Kongresi në Manastir u hap më 14 nëntor dhe zgjati deri më 22 nëntor të vitit 1908. Morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete, klube dhe shoqata. Në Kongres u miratua vendimi për t'u pranuar shkronjat latine me ndrshime të ckatuara të shkronjave të adaptuara ndaj karakteristikave të gjuhës shqipe. Në Manastir atëherë morën pjesë intelektualë nga e mbarë bota, sepse qyteti ishte qendër e konsujve dhe vend i sigurt.
Për kryetar të Kongresit u zgjodh Mit'hat Frashëri, ndërsa nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Qiriazi, vëllau i Parashqevi Qiriazit, gruas së vetme në kongres. Qiriazët e botuan edhe abetaren e parë me alfabet të unifikuar për nevojat e shkollave. Alfabeti i unifikuar në Kongresin e Manastirit sot përdoret çdo kund ku jetojnë shqiptarët.
Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi në Manastir është ngjarja më e rëndësishme për popullin shqiptar në fillim të shekullit 20, për çka dëshmojnë edhe eksponatet në IN Muzeu i alfabetit shqiptar në Manastir, i cili me mbështetje të Ministrisë së Kulturës punon prej vitit 2010. (mia.mk)
