Vendet Baltike kundër koalicionit antiteror me Rusinë

21.11.2015 16:45

Vendet baltike janë deklaruar kundër koalicionit antiteror ku do të përfshihej edhe Rusia...

Presidentët e Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, kanë deklaruar se vendet e tyre nuk do të marrin pjesë në asnjë koalicion antiterror nëse në të përfshihet Rusia.

Këto komente presidentët e këtyre tri vendeve i kanë bërë mbrëmë vonë pas një takimi në qytetin Palanda të Lituanisë.

Më herët presidenti francez, Francois Hollande, ka bërë thirrje për një koalicion , për t’i luftuar militantët e Shtetit Islamik, pas sulmeve terroriste të 13 nëntorit në Paris, nga të cilat janë vrarë 130 vetë dhe plagosur qindra të tjerë.

Rusia është deklaruar e gatshme të marrë pjesë në një koalicion të tillë.

Të tri shtetet baltike, Lituania, Letonia dhe Estonia, janë anëtare të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.