Dr. Ilmi Veliu: Hulumtimet arkeologjike për lashtësinë e Kalasë së Uskanës janë të domosdoshme
Para dy javësh ka filluar hulumtimi arkeologjik mbi Kalanë e Kërçovës i cili do të vërtetojë nëse Uskana ka qenë qytet Ilir ose jo, Drejtori i Muzeut të Maqedonisë veriperëndimore në Kërçovë, Dr Ilmi Veliu thotë se këto gërmime arkeologjike janë të domosdoshme nëse duam të vërtetojmë shkencërisht, lashtësinë e Kalasë së Uskanës dhe periudhën që ajo i takon...

“Projekti për hulumtime arkeologjike në Kalanë e Kërçovës bazohet në elementet që dëshmojnë lashtësinë e këtij lokaliteti dhe strukturën arkeologjike që përkon me gjurmët e një civilizimi antik dhe mesjetar. Gërmimet në këtë lokalitet kanë filluar para 30 vitesh por ato për arsye të panjohura janë ndërprerë për të vazhduar tani me gërmimet e filluara dy javë më parë. Në ekipin hulumtues që udhëhiqet nga Instituti i trashigimisë kulturore, bën pjesë edhe arkeologu Benjamin Xhemaili dhe historiani Ilmi Veliu, si drejtor i Muzeut të Kërçovës. Ne si shqiptarë kemi fakte historike se Uskana ndodhet pikërisht në këtë lokalitet, por kjo do të vërtetohet shkencërisht me këto gërmime që kanë për qëllim zbulimin e themeleve të Uskanës së vjetër” -, thotë Dr. Ilmi Veliu.
Gjetjet nga qeramika dhe monedhat tregojnë për jetën në këtë hapësirë që nga koha e neolitit dhe deri në Mesjetë.
Këto hulumtime arkeologjike që realizohen nga Muzeu arkeologjik i Maqedonisë, në bashkëpunim me Muzeun e Kërçovës, do të hedhin dritë mbi dilemat e vazhdueshme dhe kontradiktat e historianëve shqiptarë dhe atyre maqedonas që lidhen me kalanë e Kërçovës. (Shaban Dalipi, TVM2)
