Shtëpia e kulturës “Koço Racin” Shkup, manifestim kushtuar ditë së alfabetit
Mbrëmë në shtëpinë e kulturës “Koço Racin” u mbajt aktiviteti i përvitshëm kushtuar Kongresit të Manastirit, gjegjësisht ditës së alfabetit të gjuhës shqipe...

Ky aktivitet përfshin konkursin për poetin më të mirë të ri, si dhe botimin dhe promovimin e librit nga përmbledhja e fituesit. Këtë vit fituese u shpall studentja, Shpresa Kamberi, me përmbledhjen e saj të poezive nën titullin “Labirint”.
“Libri titullohet Labirint, përbëhet prej 42 poezive. Ka motive të ndryshme, është me motive dashurie, motive për gjendjen sociale, jetën e studentit etj” – tha poetja, Shpresa Kamberi.
“Për vendin e parë shtëpia e kulturës i mbulon shpenzimet për botimin e përmbledhjes me poezi, në 500 kopje dhe një shumë simbolike për honorarin e saj” – tha Anëtari i Jurisë, Sadri Jakupi.
Në këtë eveniment kulturor, fjalë rasti morrën edhe drejtori i shtëpise së kulturës, organizatori si dhe anëtarët e jurisë të cilët theksuan rëndësinë e madhe që ka kjo ngjarje historike për kombin shqiptar.
“Është me të vërtetë një nga datat më të rëndësishme të historisë tonë kombëtare.Në qoftë se dikurë në vitin 1908 në kongresin e Manatirit dikush i ka kustuar një javë unifikimit të alfabetit, vlenë që edhe ne të ndajmë një orë të festojmë atë ditë madhështore” – tha Drejtori i Shtëpisë së Kulturës “Koço Racin”, Safet Kamberi.
Gjithashtu, profesori Zeqirija Bajrami mbajti ligjëratë kushtuar ditës së alfabetit, dhe profesoresha Zejnepe Rexhepi lexoi poezinë e saj kushtuar kësaj dite.
Evenimenti u përcoll edhe me tinguj muzikor të performuara nga Argjira Qollaku në flautë, dhe Jetmir Mehmedi në kitarë. (Dardana Sadiki, TVM2)
