Kongresi i Manastirit 1908, ngjarja më e rëndësishme para pavarësisë

22.11.2015 12:46

Lashtësia e gjuhës shqipe është pranuar nga autoritetet shkencore dhe akademike botërore, ndërsa historikun e tijë e ka edhe shkrimi i shqipes...

Por deri në Kongresin e Manastirit të vitit 1908 nuk kishte egzistuar një alfabet unik për shkrimin e shqipes, prandaj deri atëher u shkrua me alfabet latin, grek e arab.

Apo edhe me alfabetet e përpiluara nga intelektualët dhe shoqëritë shqiptare si alfabeti i Stambollit, në vitin 1879, I cili u përhap vetëm në Shqipërinë e Jugut e të Mesme, derisa në Shqipërinë e Veriut, posaçërisht në Shkodër përdoreshin tri alfabete të tjera për shkrimin e shqipes, ai i shoqërisë “Bashkimi” (1899), i “Agimit”  apo i jezuitëve dhe alfabeti i shkrimtarëve të vjetër të Veriut, që përdorej më shumë nga klerikët katolikë.

Por përhapja e shkollaveshqipe, duke filluar që nga mësonjtorja e pare e Korçës më 7 mars të vitit 1887, si edhe zhvillimi i kulturës kombëtare në përgjithësi, imponuan nevojën për caktimin e një alfabeti të vetëm të gjuhës shqipe. Madje Rilindësit mungesën e një alfabeti unik e shihnin jo vetëm si një problem gjuhësor e kulturor, por edhe si një çështje politike, që pengonte bashkimin e shqiptarëve.

Nismën për thirrjen e kongresit për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe e mori klubi “Bashkimi” i Manastirit, që luante rolin kryesor ndërmjet klubeve shqiptare. Kongresi u hap më 14 nëntor të vitit 1908 dhe i vijoi punimet deri më 22 nëntor.

Në Kongres morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete e shoqëri të ndryshme shqiptare brenda dhe jashtë atdheut, si dhe 18 delegatë të tjerë si pjesëmarrës pa të drejtë vote, nga të gjitha viset shqiptare, nga qytetet e vilajeteve të Manastirit, të Kosovës, të Janinës e të Shkodrës, si edhe nga shoqëritë shqiptare të Bukureshtit, të Sofjes, të ShBA-ve, të Egjiptit, të Italisë etj. 

Delegatë të tij ishin shkrimtarët dhe publicistët më të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, laikë e klerikë, si Gjergj Fishta, Nikollë Kaçori, Ndre Mjeda, Gjergj Qiriazi, Mithat Frashëri, Hilë Mosi,Luigj Gurakuqi, Bajram e Çerçis Topulli, Mihal Gramenoja, Emin bej Shkupi, Hafiz Ibrahim efendiu (nga Shkupi), Xhemal Beu (nga Ohri), Fahri Frashëri (nga Resna) etj.

Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, ndërsa nënkryetarë Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi. Megjithatë, për një varg arsyesh të diktuara nga rrethanat e kohës, pati edhe intelektualë të shquar si Faik Konica, që nuk arritën të merrnin pjesë në punimet e Kongresit të alfabetit. Por Kongresi miratoi vendimin që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe, të cilat përdoren edhe sot.

Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, për të përgaditur këshut rrugën që më 28 Nëntor të vitit 1912 të shpallet edhe pavarësia e Shqipërisë. (Naim Sinani, TVM2)