Aktivitete festive në Ditën e Alfabetit

22.11.2015 12:25

Qyteti i Manastirit sot frymon pikërisht si para 107 vitesh kur më 22 Nëntor u mbajt Kongresi i Manastirit...

Në mesditë në Muzeun e Alfabetit në Manastir do të mbahet takimi I tre ministrave shqiptarë të Arsimit, atij të Maqedonisë, Abdilaqim Ademi, të Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe Kosovës, Arsim Bajrami.

Në takim do të jetë i pranishëm edhe  Zëvendës kryeminsitri i Maqedonisë, Musa Xhaferri. Ndërsa në ora 13.00 ata do të marrin pjesë edhe në Tribunën shkencore me temë: “Atdhetari i shquar Mit’hat Frashëri”. Ndërkaq, në ora 19:00  është paraparë mbajtja e Akademisë Solemne dhe Koncertit gala të Orkestrës së Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të Shqipërisë me solistët me renome kombëtare e ndërkombëtare. 

Ndryshe Kongresi i Manastirit zhvilloi punimet nga 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908, ku morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata brenda trojeve etnike dhe diaspora. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres. Kongresi miratoi vendimin që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe.

Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, për të përgaditur këshut rrugën që më 28 Nëntor të vitit 1912 të shpallet edhe pavarësia e Shqipërisë. Për shqiptarët e Maqedonisë  dita e sotme është ditë jo pune.