Bruksel, vazhdon gjendja e alarmit
Në Bruksel edhe sot vazhdon gjendja e alarmit më të lartë të kërcënimit, ndërsa autoritetet kërkojnë që njerëzit tu shmangen turmave, pasi ekziston rrezik “serioz dhe i menjëhershëm” për sulm terrorist...

Metroja e qytetit vazhdon të mbetet e mbyllur gjatë fundjavës dhe janë anuluar të gjitha ngjarjet dhe aktivitetet sportive. Siguri shtesë është ndërmarrë në trena, në stacione hekurudhore dhe në aeroporte.
Kryeministri i Belgjikës, Charles Michel, tha dje se ekziston“informacion shumë preciz për rrezikun e sulmit, sikur ai që ka ndodhur në Paris”, duke iu referuar sulmit në kryeqytetin e Francës, më 13 nëntor, me ç’rast u vranë 130 persona.
Për këto sulme, përgjegjësinë e ka marrë grupi ekstremist, Shteti Islamik, ndërsa Brukseli është qendër e hetimeve, pasi është zbuluar se dy sulmues vetëvrasës me bombë në Paris kanë jetuar në Belgjikë.
Personi i dyshuar për sulmin në Paris, Salah Abdeslam, shtetas francez, që mendohet se ka arritur të largohet nga Parisi, ende nuk është zënë.
