Botë

Kosovë, opozita dërgon sot peticionin tek presidentja

23.11.2015 12:18

Shefat e grupeve parlamentare të tri partive opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje...

Shefat e grupeve parlamentare të tri partive opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën do t’i dërgojnë sot presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, peticionin me nënshkrime të mbledhura nga qytetarët për të kundërshtuar kështu krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi.
 
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Dorëzimi i këtij peticioni do të bëhet në zyrën e presidentes. 
 
Në Kosovë, partitë politike në opozitë kishin nisur nga mesi i muajit shtator me mbledhjen nënshkrimeve në një peticion nga qytetarët e Kosovës, në shenjë kundërshtimi me marrëveshjet e arritura në dialogun Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
 
Liderët opozitarë në fund të tetorit pa lejen e sigurimit kishin futur me forcë në Kuvendin e Kosovës peticionin me mbi 200,000 nënshkrime të qytetarëve, që kundërshtojnë formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.