Botë

Frika nga terrorizmi, Kosova përforcon masat e sigurisë

23.11.2015 13:40

Në Kosovë u mblodh sot Këshilli i Sigurisë për të shqyrtuar rrezikun real terrorist, me të cilin po ballafaqohen vendet evropiane dhe më gjerë...

Kryeministri Mustafa kërkoi shtimin e masave të sigurisë nga të gjitha institucionet, në mënyrë që Kosova të jetë e përgatitur që të përballet me kërcënimet eventuale të ekstremizmit të dhunshëm, terrorizmit dhe krimit të organizuar.
 
Në Kosovë janë rritur masat e sigurisë, janë shtuar patrullimet në vendet publike, në institucionet shtetërore lokale dhe qendrore, në misionet dhe rezidencat diplomatike, rrugët kryesore, mjediset multietnike, objektet fetare, arsimore, kulturore si dhe në ambientet tjera të frekuentuara nga të rinjtë, është shtuar mbikëqyrja e personave apo grupeve të caktuara, janë shtuar edhe kontrollet në pikat e kalimit kufitar, me qëllim të parandalimit të çdo lloj kërcënimi për sigurinë në vend.
 
Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin sidomos vendet shumë të frekuentuara, siç janë koncertet, ndeshjet sportive, klubet e natës, stacionet e autobusëve apo qendrat tregtare dhe të mos hezitojnë të telefonojnë në polici për çdo shqetësim që mund të kenë.
 
RINA TURKESHI-SAITI