Maqedoni

Hapet çerdhja e parë në Vrapçisht, Ademi premton edhe 3 çerdhe të reja në Pollog

23.11.2015 14:41

Fshati Vrapçisht për herë të parë bëhet me çerdhe për fëmijët...

Çerdhja e re “Pranvera” është vendosur në hapësirat e shkollës fillore të fshatit, ku dy klasa që para katër muajve janë adaptuar për këtë qëllim.
 
Projekti është mbështetur financiarisht nga UNDP. Ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, paralajmëroi hapjen edhe të tre çerdheve tjera në këtë komunë, duke marrë parasysh faktin se vetëm sivjet në klasën e parë janë regjistruar 294 nxënës dhe ky numër flet qartë se sa të rëndësishme do të jenë këto institucione parashkollore për prindërit dhe fëmijët e kësaj komune.
 
“Kopshti është pjesë e projektit qeveritar për kujdesin dhe përkrahjen e fëmijëve në mjediset rurale dhe zbatimin e kompetencave që janë përfshirë me decentralizimin. Me këto aktivitete duam që të përmirësojmë edhe imazhin dhe gjatë kësaj  do t'i përmbushim nevojat në mjediset rurale, ku fëmijët janë të pabarabartë në krahasim me moshatarët e tyre nga qytetet. Tashmë është miratuar edhe një konkludim qeveritar për përshtatjen dhe hapjen e kopshteve edhe në fshatrat më të mëdha si Gradec dhe Negotinë në rajonin e Pollogut”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
 
Me hapjen e kësaj çerdhe u krijuan kushtet për punësimin edhe të 5 edukatoreve dhe personelit teknik të nevojshëm për mbarëvajtjen e punës me këtë grupmoshë të fëmijëve. Momentalisht në këtë çerdhe ka 50 fëmijë nga mosha 4 dhe 5 vjeçare, por pritet që ajo të zgjerohet e të ketë kapacitet për pranimin edhe të 25 fëmijëve tjerë.
 
“Sot realizohet kërkesa e  banorëve që në një nga fshatrat më të mëdha në komunë”- tha kryetari i Vrapçishtit, Bajram Kadrija.
 
Hapja e kopshtit në Vrapçisht është pjesë e projektit me të cilin përfshihen 16 komuna në Maqedoni. Në ceremoninë e sotme mori pjesë edhe përfaqësuesja e UNDP-së në Republikën e Maqedonisë, Luiza Vinton.
 
LULZIM HAZIRI