Projektet në kulturë, Shehapi: Ka avancim të projekteve shqiptare
Në programin vjetor, në Ministrinë e Kulturës, në vitin 2015, në të gjitha zhanret kulturore vërehet një rritje e dukshme e buxhetit për projektet shqiptare...

Sekretari shtetëror në këtë ministri, Behixhudin Shehabi, thotë se në vitin 2015 janë realizuar 300 projekte dhe janë bërë mjaft avancime të kuadrit shqiptar në institucionet kulturore.
“Kemi avancuar festivalin në Dibër, në Gostivar dhe gjithashtu bëmë përpjekje për festivalet në Shkup dhe Tetovë. Aty kemi rritje të dukshme në sektorin e dramës, rreth 24 për qind e buxhetit në sektorin e dramës janë për projektet shqiptare... Në veprimtarinë botuese kemi një rritje prej 23% prej 320 librave të botuara dhe të përkrahura nga Ministria e Kulturës, 75 janë në gjuhën shqipe. Prej 60 shtëpive botuese, 22 shtëpi botuese udhëhiqen nga ana e shqiptarëve, 7 ekspozita ndërkombëtare janë organizuar këtë vit”- deklaroi sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi.
“Sipas programeve tona, punët kanë ecur mirë. Aty ku ka ngecje procedurale do t’i nxisim institucionet dhe pas këtij viti do të vazhdojmë me projekte të reja dhe me procedurat që janë në vazhdim”- tha zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi.
Sa i përket aktiviteteve arkeologjike në kalanë e Shkupit, Shehabi thotë se ato ende nuk janë rrumbullakësuar.
“Në princip ka marrëveshje që ato të reflektojnë aspektin multikulturor dhe multietnik në kalanë e Shkupit, të rindërtohet shtëpia ilire nga periudha neolite dhe ajo shtëpi është para përfundimit, pret hapjen e vet. Gjithashtu kemi një objekt nga periudha osmane dhe një objekt nga periudha mesjetare bizantine”- theksoi sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi.
Për herë të parë sivjet janë financuar edhe tre evenimente, ku prezantohen vlerat tradicionale dhe kombëtare shqiptare, doket zakonet etj, thotë Shehabi. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
