Maqedoni
ONM–kontrabanda me emigrantët, 800 mijë njerëz në vit, subjekt trafikimi
23.11.2015 16:59
800 mijë njerëz në vit janë pre e trafikantëve të qenieve njerëzore...

Marrë parasysh krizën e fundit me refugjatët dhe përfitimet e larta prej 32 miliardë dollarësh në vit të trafikantëve, është më se i nevojshëm përforcimi i bashkëpunimit në nivel nacional dhe rajonal, harmonizimi i ligjeve, mbajtja e takimeve ndërmjet agjencive të vendeve të ndryshme, si dhe përforcimi i resurseve njerëzore, pajisjeve dhe mjeteve teknike.
Këto ishin rekomandimet e projektit “Përforcimi i luftës kundër tregtisë me njerëz dhe transportit ilegal të emigrantëve në Ballkanin Perëndimorë”.
“Ekzistojnë indikacione se në botë më shumë se 800 mijë njerëz në vit janë subjekt i trafikimit me njerëz në momentin kur kalojnë kufijtë ndërkombëtarë, ndërsa edhe më shumë janë subjekt i trafikimit me qenie njerëzore brenda vendeve të tyre. Rezultatet flasin se fitimet që përfitojnë trafikantët me qenie njerëzore, si dhe kontrabandistët e emigrantëve janë më shumë se 32 miliardë dollarë në vit”- deklaroi përfaqësuesja e Organizatës Ndërkombëtare për Migrim në Shkup, Sonja Bozhinovska.
“Duhet të kemi parasysh rrezikun, sidomos tani, pasi që rreziku mund të rritet. Problemi me emigrimin që në fillim dukej si një krizë afatshkurte, u bë në një krizë të gjatë. Duhet të krijohet një sistem drejtësie i brendshëm dhe në aspekt human e social. Problemi me emigrantët është human, siguria është një gjë e rëndësishme, që duhet të ketë secili vend për mbrojtje”- tha ambasadori i Italisë në RM, Ernesto Masimino-Bellelli.
Viteve të fundit në Maqedoni janë ndërmarrë disa aktivitete reformuese në sferën ndëshkuese përmirësuese, si aplikimi i Ligjit të ri për procedurë penale dhe Ligji për bashkëpunimin ndërkombëtar sa i përket materies penale në pjesën e rritjes së efikasitetit të institucioneve në aspektin e veprave penale, që kanë të bëjnë me tregtinë me njerëz dhe transportin ilegal me emigrantë.
GYLTENE SINANI
