Maqedoni

Prokuroria Speciale, Janeva të enjten kumton lëndët nga “bombat”

23.11.2015 17:14

Prokuroria Publike ia ka dërguar Prokurorisë Speciale listën e lëndëve të hapura deri tani, që burojnë nga përgjimet e paligjshme...

Prokuroria Speciale po analizon të dhënat për të vërtetuar se cila nga lëndët ka prioritet për të filluar prokurimin. Të enjten pritet që Janeva të kumtojë se cilat do të jenë lëndët e para që do të prokurohen nga specialja.
 
Në një kumtesë për shtyp, Prokuroria Speciale njofton se në ndërkohë është realizuar trajnim i prokurorëve special.
 
Në bashkëpunim me ministrin e Drejtësisë është përgatitur edhe propozim-ligj për Administratën e Prokurorisë Publike, i cili është i nevojshëm për ekipimin e prokurorisë me kuadër profesional, hetimor dhe administrativ.
 
Propozim-ligji është përgatitur në bazë të Ligjit për Prokurori Publike, për ndjekje të veprave penale që dalin nga përmbajtja e përgjimeve të paligjshme dhe është dorëzuar në Qeveri.
 
“Presim që propozim-ligji të vendoset në rend dite në seancën e parë të Qeverisë së Maqedonisë, ndërsa më pas në procedurë urgjente do të vendoset në rend dite edhe në Kuvendin e Maqedonisë dhe do të zbatohet në tërësi”- thonë nga Prokuroria Speciale.
 
Në periudhën sa ka zgjatur procesi i trajnimit të prokurorëve në Prokurorinë Speciale, është miratuar edhe plan veprimi për Prokurorinë Speciale, ndërsa janë përgatitur të gjitha aktet administrative, të nevojshme për veprim pa pengesë.
 
“Kemi organizuar edhe aktivitet në lidhje me rregullimin e hapësirës ku prokuroria do të jetë e vendosur. Duke pasur parasysh se aktivitetet në lidhje me rregullimin e hapësirës ku do të jemi të vendosur kërkojnë kohë, ne kemi marrë një objekt me qira ku do të jemi përkohësisht të vendosur. Megjithatë, hapësirat zyrtare të kësaj Prokurorie Publike ngelin në Ministrinë e Drejtësisë, në rrugën “Dimitrie Çupovski” numër 9”- thonë nga Prokuroria Speciale.
 
SHPËTIM NUREDINI