Mbështetet strategjia e KE-së për zgjerim, PDSh lëshon mbledhjen gjatë votimit

23.11.2015 18:03

Pas një debati të gjerë, Këshilli Kombëtar për Eurointegrime në Kuvend miratoi konkluzionet me të cilat mbështetet strategjia e Komisionit Evropian për zgjerim, të cilën e miratoi më10 nëntor të këtij viti...

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi, ftoi aktorët politik që të punojnë për të çuar përpara procesin e reformave.

“Konkluzionet dhe rekomandimet që i gjejmë në strategji kryesisht kanë të bëjnë me definimin e procesit të zgjerimit, si investim për paqen, sigurinë dhe stabilitetin. Vendet të cilat aspirojnë të integrohen në BE duhet të përmbushin të gjitha kriteret dhe do të përparojnë varësisht nga kushtet e përmbushura në këto kritere”- deklaroi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Fatmir Besimi.

Por, debati nuk kaloi pa përplasje midis deputetëve. Gjatë votimit, përfaqësuesit e PDSh-së lëshuan seancën, pasi që këshilli refuzoi kërkesën e tyre që propozim-tekstit t’i shtohet edhe një pikë që, sipas tyre, do të pasqyronte gjendjen politike në Maqedoni dhe marrëdhëniet ndëretnike.

Deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti, ndonëse u solidarizua me propozimin e PDSh-së, tha se kërkesa e tyre nuk e ka vendin në këtë dokument. Sipas saj, konkluzionet kanë të bëjë me politikat e BE-së për zgjerim dhe jo me gjendjen e brendshme të Maqedonisë.    

“PDSh kemi një propozim si pikë e veçantë e konkluzioneve dhe kërkojmë që t’i shtohet konkluzioneve. Këshilli Nacional për Eurointegrime konstaton ngecje serioze në përmbushjen e kritereve politike në përgjithësi dhe në veçanti sa u përket raporteve ndëretnike dhe avancimit të të drejtave të shqiptarëve”- tha Merale Ismaili nga PDSh.

“E mbështes nismën, sugjerimin dhe frymën e asaj që ju e kërkoni si konkluzë, por nëse konstatohet se nuk ka vend në konkluzat e KNE, atëherë mendoj se bashkërisht mund të punojmë që ato t’i inkorporojmë në propozim-rekomandimin, gjegjësisht konkluzat të cilat shpresojmë të dalin në një frymë si konkluza të përbashkëta në frymë konsensualiteti gjatë seancës së nesërme”- theksoi Ermira Memeti nga BDI.

Edhe Lidia Dimova nga LSDM tha se nuk ka asnjë problem me kërkesën e PDSH-së, por, sipas saj, kjo kërkesë nuk e ka vendin këtu.

Ndërkohë, Silvana Boneva nga VMRO-DPMNE kërkoi nga që çështjen e ngritur PDSh ta zhvendos për në Komisionin për Çështje Evropiane. (Naim Ramadani, TVM2)