Botë

Brukseli në alarm, 16 të arrestuar, ende i lirë Salah Abdeslam

23.11.2015 18:18

Policia belge ka arrestuar 16 persona në Bruksel gjatë bastisjeve policore lidhur me hetimet që po bëhen për sulmet terroriste...

Policia belge ka arrestuar 16 persona në Bruksel gjatë bastisjeve policore lidhur me hetimet që po bëhen për sulmet terroriste, që ndodhën në Paris, më 13 nëntor. Por, mbetet ende i lirë, terroristi Salah Abdelslam. 
 
Bastisjet që janë bërë vonë gjatë natës, përfshijnë kërkimet në 19 shtëpi në rajonin e Brukselit, si dhe tre kërkime në disa shtëpi në Charleroi, një qytet në rajonin jugor të Belgjikës.
 
Brukseli mbetet në nivelin më të lartë të sigurisë që nga data 21 nëntor, si pasojë e asaj që kryeministri i Belgjikës ka quajtur një kërcënim “serioz dhe të pashmangshë” i sulmeve të koordinuara nga militantë islamik. Edhe sot shkollat dhe metrotë ishin të mbyllura. 
 
Derisa Brukseli vazhdon të jetë në nivelin 4 të alarmit të sigurisë, vëllai I Salah Abdeslam, thotë se vëllai I tij nuk është terrorist por një I manipuluar. 
 
“I kërkoj tim vëllai të dorëzohet. Vëllai im nuk ishte i radikalizuar por është manipuluar. Nuk di në c’mënyrë është manipuluar, prandaj dhe kërkojmë që ai të dorëzohet e të përgjigjet për këtë ,  më mirë të jetë në burg sesa të vritet. Nuk kemi parë tek ai asnjë formë radikalizimi. Për ne është manipuluar”, thotë Muhamed Abdeslam – vëllai i të dyshuarit Salah Abdeslam
 
Ndërkohë Kryeministri i Britanisë së Madhe David Cameron në një konferencë të përbashkët me Presidentin e Francës Francois Hollande,  u shprehën të vendosur të luftojnë bashkë terrorizmin dhe për të zgjidhur krizën në Siri.
 
“Franca dhe Britani janë bashkë për të luftuar Shtetin Islamik. Do ta mposhtim ISIS duke bashkëpunuar, ne duhet të mbrojmë veten nga këto sulem makabre. Kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë BE. Duhet të veprojmë përara se të jetë shumë vonë. Do të ketë kontrolle me të rrepta të personave që hyjnë dhe dalin nga vendet tona”, deklaroi Cameron. 
 
“Kemi qenë objektiv për zgjidhjen e krizës në Siri. Në nivel europian ne kemi marrë një vendim edhe për njohjen e pasaportave. Do të ketë kontroll specifike për njerëzit që hyjnë dhe dalin në Francë, por edhe në Angli”, deklaroi Hollande.
 
Dy liderët kanë vizituar teatrin Bataclan, ku kanë vendosur buqeta me lule dhe kanë mbajtur një minutë heshtje në nder të viktimave të atentateve.
 
REJHANE BUSHI-METAJ