Tenis

Djokovic mposht Federer. Fiton për të 4-n herë radhazi finalet e World Tour

23.11.2015 18:50

Numri një në botë, Novak Djokovic është i pandalshëm. Serbi arrin të fitojë titullin e katërt radhazi të Turneut Botëror ATP...

Numri një në botë, Novak Djokovic është i pandalshëm. Serbi arrin të fitojë titullin e katërt radhazi të Turneut Botëror ATP duke kurorëzuar një vit të jashtëzakonshëm ku arriti të fitonte të tre turnetë “Grand Slam”.
 
Federer arriti të fitonte ndaj Djokivicit në fazën e grupeve, por në finale nuk arriti të përballonte tenistin serb, pavarësisht faktit që prodhoi disa momente shkëlqimi në fund të setit të dytë.
 
Tenisti zviceran mori duartrokitjet e publikut teksa arriti të përmbyste një game nga 0-40 në favor të serbit, por humbi në atë pasardhës.
 
Duelet midis dy tenistëve që renditen respektivisht në vend të parë dhe të dytë në renditjen ATP kanë rezervuar prej vitesh spektakël, por përballja e sotme nuk i kapi nivelet e atyre paraardhëse.
 
Në intervistën e dhënë pas marrjes së trofeut, Djokovic tha: “Po e shijoj çdo moment në fushë. Faleminderit të gjithëve që ma bëtë këtë vit shumë të veçantë. Tani mezi pres të shpenzoj dy javë larg tenisit me gruan dhe djalin.”