Basketboll
Golden State nuk njeh rivalë, 15 fitore radhazi në kampionat
23.11.2015 18:51
Nuk ndalet marshimi i skuadrës së Golden State,që korri sot suksesin e 15-të radhazi në kampionat...
Kampionët mposhtën 118-105 Denver në fushën e këtij të fundit, duke qenë skuadra e vetme pa asnjë humbje.
15 ndeshje dhe 15 fitore janë vërtet shifra fantastike për një ekip që nuk ka rivalë këtë sezon. Thompson me 21 pikë e Curry me 19 ishin dy liderët e skuadrës kampione, që nuk ka rivalë këtë fillim-sezoni. Vijon kriza e Lakers, 11 humbje këtë sezon, që u mund 107-93 nga Porland, që korri suksesin e 6-të sezonal. Lillard me 30 pikë bëri diferencën në fushë, ndërsa për kalifornianët nuk mjafuan 19 pikët e Clarkson dhe 18 të Bryant.
Një fitore në minutat e fundit për Oklahomën, që mundi 117-114 Dallas, në një ndeshje spektakolare dhe me emocione. Dallasi vinte pas 5 fitoresh radhazi, por u detyrua të ndalet para Westbrook, 31 pikë e 11 asist, ndërsa për Maveriks nuk mjaftuan 38 pikët e dyshes Williams-Matthews.
Toronto arriti një fitore të rëndësishme në fushën e Clippers me shifrat 91-80, duke korrur suksesin e 9-të sezonal. DeRozan e Caroll me nga 21 pikë secili, ishin lider në fushë për kanadezët, mbështetur edhe Scola me 20, ndërsa për kalifornianët mungoi një udhëheqës në fushë.
Një tjetër ndeshje spektakolare ishte ajo që nxori fituese skuadrën e Nju Orleans, që mundi 122-116 Phoenix, në një ndeshje emocionuese. Anthony Davis me 32 pikë e 19 rebaund ishte lojtari më i mirë në fushë, mbështetur edhe nga Anderson me 29 pikë. Po 29 pikë realizoi edhe Bledsoe për Phoenix, por që mbetën për statistikë.
Fiton edhe Brooklyn, që mundi 111-101 Boston, duke korrur suksesin e tretë sezonal. Lopez me 23 pikë e 10 rebaund si dhe Jack me 22 pikë bënë diferencën në fushë për miqtë, duke i bërë të pavlefshme 54 pikët e dyshes Bradley-Thomas për Boston.