Kërcënimet terroriste, ShBA paralajmëron qytetarët: Shmangni tubimet
Kërcënimet terroriste kanë detyruar Uashingtonin të paralajmërojë qytetarët amerikanë në mbarë botën që të shmangin me sa të munden lëvizjet...

Ky paralajmërim vjen pas informacioneve të fundit se “Shteti Islamik”, “Al Kaeda”, “Boko Haram” e grupe të tjera ekstremiste planifikojnë sulme në pjesë të ndryshme të globit.
Gjendja e alarmit, sqaron Departamenti amerikan i Shtetit, do të mbetet në fuqi deri më 24 shkurt të 2016-ës.
Franca, Rusia, Mali e shtete të tjera janë bërë pre e sulmeve vdekjeprurëse përgjatë këtyre muajve të fundit, çka ngjall frikën se edhe Amerika nuk do të kursehet.
Ndonëse aktualisht nuk ka arsye për të besuar se shtetasit amerikanë janë të shënjestruar në mënyrë të veçantë, paralajmërimi kundër udhëtimeve i kërkon të shtojnë vigjilencën kur ndodhen në vende publike apo mjete transporti.
Këshilla kryesore për ta është të shmangin grumbullimet. Autoritetet besojnë se gjasat e një vazhdimësie të sulmeve terroriste janë të mëdha, sidomos tani kur shumë elementë të ISIS-it janë kthyer nga Siria dhe Iraku.
