Maqedoni

Konferencë dyditore për ndotjen e ajrit, studim për indikatorët e ndotjes

24.11.2015 14:06

Ministria e Mjedisit Jetësor në bashkëpunim me shtet evropiane do të hartojë studime për disa qytete në Maqedoni që të dihet saktë përqindja e indikatorëve të ndotjes së ajrit...

Deri më tani në vend nuk ka pasur një studim të mirëfilltë se sa është pjesëmarrja e çdo njërit prej ndotësve në ndotjen e ajrit, u tha në konferencën e sotme, ku përfaqësues të 53 shteteve evropiane debatojnë për ndotjen e ajrit. 
 
“Tani do të kemi një studim me Austrinë dhe Finlandën, i cili do të na tregojë saktë parametrat e ndotësve. Nuk do të mund të flasim me parametra paushall, por me parametra shumë të sakta, me analiza dhe studime. Gjithashtu do të përgatitet edhe një studim, një analizë e ndikimit të ndotjes së ajrit në shëndetin e njeriut, një studim i tillë që na ka munguar për Tetovën dhe për disa qytetet tjera”- deklaroi ministri i Mjedisit Jetësor, Nurhan Izairi.
 
Ekspertët e shëndetësisë apelojnë deri tek institucionet kompetente që me problemin e ndotjes të merren gjatë gjithë vitit e jo vetëm në këtë periudhë kur niveli i ndotjes është më i lartë. 
 
“Ndotja e ajrit  na kushton shumë, e kemi thënë disa herë këtë, na kushton shëndet, na kushton jetë, gjithashtu na shkakton shpenzime të mëdha ekonomike, patjetër duhet të thuhet kjo. Andaj, qeveria dhe institucionet vetëm në këtë periudhë merren me ndotjen e ajrit, por sipas mendimit tim me ndotjen e ajrit duhet të merren gjatë gjithë vitit”- tha mjeku, Darko Gjorgjiev.
 
Në konferencën dyditore në Shkup do të diskutohen temat si menaxhimi me rreziqet nga aerondotja, menaxhimi me lloje të ndryshme të mbeturinave, problemet ekologjike, por edhe përpjekjet në ndërtimin e vendbanimeve urbane rezistuese, si dhe për ndryshimet klimatike. 
 
REJHAN BUSHI-METAJ