NBA, nuk ndalen Cavaliers, Heat dhe Spurs
Cleveland Cavaliers regjistroi fitoren e tretë radhazi dhe të 11-tën sezonale në NBA, teksa mposhti Orlando Magic 117-103, falë një lojë të shkëlqyer të Kevin Love, i cili rezultoi më i miri në parket me 34 pikë, 4 asist dhe 8 ribaund...
Skuadra nga Ohio dominoi në tre periodat e para për të lëshuar disi terren në fund, por pa e rrezikuar fitoren. Lebron James realizoi vetëm 15 pikë, por me 13 asist e tij u bë basketbollisti i 25-të në historinë e NBA me më shumë asiste.
Vazhdon të shkëlqejë edhe Miami Heat, që kaloi 95-78 New York Knicks. Carmelo Anthony me 21 pikë, 4 asist dhe 8 ribaund, nuk mundi ta shmangte humbjen e njurkezëve, pas një serie të gjatë fitoresh.
Një përballje spektakolare rezultoi ajo mes Charlotte Hornets dhe Sacramento Kings, që nxorri një fitues vetëm në kohën shtesë. Në radhët e Hornets shkëlque Kyle Walker me 39 pikë, 5 asist dhe 6 ribaund, ndërsa për Sacramenton Cousins shënoi 30 pikë si dhe kontrolloi 11 topa nën tabelë.
Vijon forma e mirë e San Antonio Spurs, që i shkaktoi humbjen e 7 sezonale Phoenix Suns me shifrat 98 – 84, pavarësisht lojës së mirë të Mark Morris, që shënoi 28 pikë, dha 4 asist dhe kontrolloi 8 topa nën tabelë.