EKONOMI
70 milion euro në dispozicion për qytetin e Shkupit
24.11.2015 17:46
Buxheti për vitin e ardhshëm për Shkupin ka përplasur pushtetin dhe opozitën në dy blloqet politike...

Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, thotë se propozim-buxheti prej 70 milion eurosh ka për qëllim vazhdimin e ekspansionit ndërtimor në kryeqytet të filluar më herët, duke ndarë mbi 46 për qind të mjeteve për investime kapitale.
“Vera e ardhshme do të jetë një ekspansion ndërtimor për Qytetin e Shkupit, kuptohet se nuk do të kisha dëshirë që kjo të lidhet me zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Sipas meje, ky propozim-buxhet e pasqyron tërësisht dëshirën dhe vullnetin e qytetarëve të Shkupit të cilët e kanë shprehur në takimet tona”- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
Këshilltarët e LSDM-së dhe të PDSh-së opozitare akuzuan për favorizimin e projekteve të VMRO-DPMNE–së.
Derisa nga PDSh vlerësuar se ky buxhet është diskriminues ndaj shqiptarëve, LSDM kërkon më shumë para për mbrojtjen e ndotjes së ajrit, ndërtimin e urave kaluese, rekonstruimin dhe subvencionet për rrugicat dhe çiklizmin në vend, gazifikimin e shkollave të mesme dhe transportin falas për çdo ditë për studentët, ndërsa kërkon edhe dorëheqjen e Koce Trajanovskit.
“Me këtë propozim-buxhet Shkupi do të vazhdojë të ngulfatet me ajrin e ndotur, nuk do të ketë shkolla të reja as gazifikim të shkollave të mesme dhe nuk do të ketë as transport falas për studentët për çdo ditë. Koce Trajanovski dhe VMRO-DPMNE nuk punojnë për interesin e qytetarëve, për këtë arsye ka vetëm një zgjidhje, të jep dorëheqje Koce Trajanovski dhe të shpallen zgjedhje të reja për kryetar të ri të Qytetit të Shkupit”- tha këshilltari i LSDM-së, Damjan Mançevski.
“PDSh-ja buxhetin e sivjetshëm e sheh si buxhet që është zero për shqiptarët, ndoshta mund të thuhet minus zero për shqiptarët, për shkak se ne jemi taksa-pagues të rregullt në Qytetin e Shkupit dhe shqiptarët kontribuojnë në Qytetin e Shkupit, ndërsa përkundrazi prej këtij buxheti asgjë nuk marrin”- theksoi këshilltarja e PDSH-së, Halime Sejdiu.
Qemal Musliu nga grupi i këshilltarëve të BDI-së tha se me buxhetin e vitit të ardhshëm janë paraparë investime dhe realizime të shumë projekteve nëpër vendbanimet shqiptare, duke përfshirë sektorin e arsimit, sportit, kulturës dhe infrastrukturës rrugore.
“Në Komunën e Çairit ka më tepër projekte. Do fillojmë me qarkores në dy nivele, në afërsi të Qendrës Tregtare “Mavrovka” do të rregullohet trotuari dhe rruga e këmbësorëve prej Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” deri te ura e Bit Pazarit. Pritet definitivisht të zgjerohet “Rruga e plastikave”, faza e dytë e rrugës “Cvetan Dimov”, ndërtimi i rrjetit atmosferik në rrugën “Xhon Kenedi” dhe në “Qemal Ataturk”, si dhe zgjerimi i rrugës “Hristijan Todorovski-Karposh” prej rrugës “Xhon Kenedi” deri te Komuna e Çairit. Gjithashtu kemi paraparë në sferën e kulturës rreth 25 projekte, 10 do të duhet të realizohen nga QIK dhe “Koço Racin”, ndërsa 15 të tjera në bazë të konkursit që u hap në muajin shtator këtë vit"- u shpreh këshilltar i BDI-së, Qemal Musliu.
Vlera e investimeve në sferën e urbanizmit nëpër vendbanimet shqiptare është rreth 330 milion denarë.
Projektet e shumta për zgjerim, rregullim dhe rekonstruim të rrugëve, investime në rrjetin atmosferik dhe në ujësjellës janë paraparë edhe në shumë lagje tjera ku banojnë shqiptarët, si për shembull në Saraj, Gllumovë Hasanbeg, Ljuboten, Shuto Orizarë dhe në Butel.
Propozim-buxheti për vitin 2016 është për 5 ose 6 për qind më shumë se sa buxheti i këtij viti.
REXHEP QAMILI
