Maqedoni

Komisioni për Çështje Evropiane, deputetët: raport-progresi pasqyron gjendjen në vend

24.11.2015 18:03

Pas një debati të gjerë, Komisioni për Çështje Evropiane në Kuvend nuk miratoi propozim-konkluzionet lidhur me raport-progresin për Maqedoninë...

PDSh sërish kërkoi që propozim tekstit t’i shtohet edhe një konkluzë, që sipas tyre pasqyron gjendjen reale në Maqedoni. Të njëjtat do të kthehen sërish në Komision për miratim pasi të harmonizohet propozim-teksti midis koordinatorëve të grupeve parlamentare, që njëherit ishte edhe kërkesë e VMRO-DPMNE-së.
 
Arsyetimi i deputetëve të VMRO-së ishte mungesa e koordinatorëve të partive politike në seancë. Në fjalimin e saj, Merale Ferati nga PDSh gjendjen në Maqedoni e përshkroi edhe më të keqe nga ajo që është shkruar në raport-progres.
 
Nga ana tjetër, Ermira Mehmeti nënvizoi fushat ku ngec vendi në përmbushjen e kritereve.
 
“BDI, si klasë politike e kapur nga krimi dhe kriminaliteti, nuk i mbron interesat jetike të shqiptarëve, ajo e ka bërë inekzistente Marrëveshjen e Ohrit, prandaj PDSh propozon që në kuadër të konkluzioneve të inkorporohet edhe një pikë”- tha Merale Uzeiri-Ferati nga PDSh.  
                                                               
“Disa procese gjyqësore, të cilat seriozisht e kanë goditur frymën e bashkëjetesës në vend, të adresohen. E them edhe njëherë, tani që kemi prokurore speciale të zgjedhur me një ligj special, e cila nuk i përket dhe nuk guxon të bie nën diktatin politik, le t’i japë vetes detyrë, që të merret edhe me këto raste gjyqësore kontroverse për të cilat shumëkush ka dilema”- deklaroi Ermira Mehmeti  nga BDI. 
 
Rekomandimi paraqet edhe një mundësi për t’i adresuar të gjitha reformat, duke përfshirë edhe implementimin e marrëveshjes politike, tha zëvendëskryeministri, Fatmir Besimi, ndërsa ambasadori i BE-së në Shkup, Aivo Orav, tha se dokumenti në vete përmban rekomandimin e shtatë me radhë, por të kushtëzuar dhe me detyra konkrete që duhet të përmbushen.          
                                                                                                            
“Pas leximit të parë, SÇE përpiloi një analizë thelbësore si një platformë për përgatitjen e programit vjetor lidhur me harmonizimin e legjislaturës me BE-në. Në mbledhjen e qeverisë u prezantua dhe u miratua plani aksionar, i cili është i zgjeruar dhe me rekomandime afatshkurtre, ndërsa implementimi i saj për çdo javë do të mbikëqyret nga institucionet”- theksoi zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi.
 
“Që të përmirësohet situata nevojitet që të tregohen rezultate edhe atë marrëveshja politike të zbatohet tërësisht, reformat me prioritet të zbatohen tërësisht, të hetohen përgjimet, të aplikohet sistem i depolitizuar për emërimin e gjykatësve, të zgjidhet ngecja e shprehjes së lirë dhe administratës publike, si dhe të implementohet Marrëveshja Kornizë e Ohrit”- u shpreh ambasadori i BE-së në Shkup, Aivo Orav.    
                                                            
Lidija Dimova nga LSDM theksoi se raporti i KE jo që nuk është negativ, por është i turpshëm, konstaton kthim mbrapa në më shumë fusha.
 
Nga ana tjetër, Nora Ismailovska nga VMRO-DPMNE tha se vendi mbetet në gatishmërinë për të vazhduar reformat dhe përcaktimin për integrim në BE. 
 
NAIM RAMADANI