MAQEDONI
Në kufirin Maqedoni-Greqi alivanoset një emigrant
24.11.2015 18:07
Greva e heshtjes së refugjatëve, ku gjatë ditës së djeshme një numër i madh i tyre qepën buzët...

Greva e heshtjes së refugjatëve, ku gjatë ditës së djeshme një numër i madh i tyre qepën buzët, duke mos pranuar edhe ndihma, ka bërë që një emigrant të alivanoset.
Ai është transferuar menjëherë në spital në kampin grek.
Ndërkohë, situata në vijën kufitare mes Maqedonisë dhe Greqisë në kuotat 58 dhe 59 mbetet e njëjtë. Rreth 300 emigrantë të cilët me ditë të tëra nuk lejohen të hyjnë në Maqedoni, qëndrojnë në një kamp të improvizuar në zonën neutrale.
Grevës i janë bashkëngjitur disa burra nga turma, të cilët vazhdojnë të shprehin revoltë ndaj pengimit për të kaluar në vendet e Evropës Perëndimore. Ata janë ulur në linjat e hekurudhës dhe refuzojnë ushqimet.
Refugjatët nga Irani, Maroko dhe Pakistani apelojnë që të hapen kufijtë dhe të vazhdojnë rrugën e tyre, të respektohen të drejtat e tyre dhe të shpëtohen jetët e tyre. Për këtë, asnjëri prej tyre nuk ka pranuar që të flasë para mediave.
Hyrja në Maqedoni vazhdon të mos pengohet për refugjatët nga Siria, Afganistani dhe Iraku.
Sipas të dhënave të UNHCR-së, në 12 orët e fundit përmes kampit të pranimit në Gjevgjeli kanë kaluar mbi 1000 refugjatë.
Për shkak të motit të keq, në ditët e ardhshme numri i refugjatëve pritet të zvogëlohet.
BESIM ABDULLAI
