MAQEDONI
Konstituohet Komisioni Anketues, përplasje rreth propozim-rregullores për punë
24.11.2015 18:28
Komisioni Anketues dështoi që në seancën e parë. Palët nuk u dakorduan rreth propozim-rregullores për punën e këtij trupi...

Komisioni Anketues dështoi që në seancën e parë. Palët nuk u dakorduan rreth propozim-rregullores për punën e këtij trupi të propozuar nga kryetari i Komisionit, Petre Shilegov.
Sipas anëtarëve nga shumica parlamentare, propozim/rregullorja e punës është dashur të dakordohet paraprakisht, në një takim koordinues me pjesëmarrje nga të gjitha palët.
Mirëpo kreu i Komisionit thotë se propozimi u është dërguar anëtarëve të Komisionit në postë elektronike dhe u është kërkuar që vërejtjet t’i paraqiten në të njëjtën formë.
“Deri sot, në ditën e seancës konstituive, nuk pranova asnjë vërejtje gojore ose të shkruar për përmbajtjen e tekstit të propozim-rregullores dhe as që më është kërkuar nga ndonjë përfaqësues i ndonjë grupi parlamentar ose deputet i pavarur që mbajmë takim koordinues”- theksoi Petre Shilegov nga LSDM.
“Askush nuk është më i thirrur sesa vetë kryetari i Komisionit që do të duhej për një komision të këtillë serioz anketues, që kur propozon rregullore ai të jetë nismëtarë për koordinim dhe bisedime për harmonizimin e rregullores sipas së cilës duhet të punojmë”- theksoi Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.
Anëtarët nga shumica parlamentare patën vërejtje thuaja për çdo nen të propozim-rregullores. Mosdefinimi konkret i kompetencave, mënyra e votimit, deri te kohëzgjatja e fjalimeve.
Sipas anëtarëve nga radhët e VMRO-DPMNE-së, mundësia që vota e kryetarit të Komisionit të konsiderohet si dy vota, e paraparë me propozim-rregulloren e hartuar nga vetë kreu i Komisionit është precedencë.
Deputeti i BDI-së, Ejup Rustemi, daljen nga situata e krijuar e shihte ose në ndërhyrje në tekstin e propozim-rregullores ose Komisioni të mblidhet pasi të ketë harmonizuar qëndrimet në takim koordinues.
Ndërkaq, deputeti i PDSh-së, Ernad Fejzullahu, ftoi deputetet e VMRO-së, ata të LSDM-së dhe deputetët e BDI-së që, sipas tij, përbëjnë shumicën parlamentare, përkatësisht qeverinë, që të dakordohen para se të thërrasin mbledhje të Komisionit dhe të mos i shfrytëzojnë këto seancë për fjalime politike.
Seance u ndërpre, ndërsa vazhdimi u caktua për ditën e enjte. Takimi koordinues do të mbahet të mërkurën.
SHPËTIM NUREDINI
