Ivanov: Nato të respektojë vendimet e GJND-së
Pakti veriatlantik përfundimisht duhet të vendosë për hapin e mëtutjeshëm lidhur me integrimin e Maqedonisë në NATO...

Këtë veprim kjo organizatë duhet ta hedhë në tryezë në takimin e dhjetorit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare të NATO, i cili do të mbahet në dhjetor. Këtë e ka kërkuar presidenti i shteti, Gjorge Ivanov, në takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
“I përcolla të gjitha pritjet që i kemi ne si vend kandidat në NATO dhe gjithçka që presim ne në prag të takimit të ministrave në dhjetor dhe Samitit të NATO-s në Varshavë. Kemi realitet të ri dhe ai realitet duhet të respektohet në vendimet e NATO-s. Kërkova që NATO të respektojë përfundimisht vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, sepse çdo ditë dëgjojmë NATO-n se si thotë se duhet të respektohet e drejta ndërkombëtare dhe kjo duhet të vlejë edhe për Maqedoninë”- deklaroi kryetari i shtetit, Gjorge Ivanov.
Temë e takimit mes presidentit Ivanov dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg, ka qenë edhe sfida me të cilën ballafaqohet vendi me emigrantët.
Ivanov ka ftuar autoritetet e NATO-s që të vizitojnë Maqedonisë dhe të shohin për së afërmi se me ballafaqohet Maqedonia me emigrantët, sepse, sipas tij, nëpërmjet Maqedonisë lidhet Lindja e Mesme, Azia dhe Evropa. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
