Botë

Rrëzimi i aeroplanit rus, tensione dhe akuza mes Ankarasë dhe Moskës

25.11.2015 12:03

Tensione dhe akuza të ndërsjella mes Ankarasë dhe Moskës pas rrëzimit të djeshëm të avionit rus nga ana e forcave turke...

Çdo vend ka të drejtë të mbrojë integritetin e saj, ka deklaruar presidenti turk, Erdogan.
 
“Askush nuk duhet të dyshojë se Turqia bëri gjithçka që ta shmang incidentin. Ne nuk e dëshironim një situate të tillë, por të gjithë duhet ta respektojnë të drejtën e Turqisë që t’i mbrojë kufijtë e saj”- deklaroi presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
 
Por, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se avioni rus është qëlluar derisa po fluturonte mbi hapësirën ajrore siriane dhe në asnjë moment nuk ka kaluar në hapësirën turke, prandaj ndërpret të gjitha kontaktet me Ankaranë.
 
Po ashtu, sipas shefit të Shtabit të përgjithshëm të Armatës ruse Ruckoi, në të ardhmen avionët rusë gjatë fluturimit mbi Siri do të shoqërohen nga avionë sulmues. 
 
“Ju paralajmëroj se të gjitha caqet e rrezikshme potenciale për ne do të shkatërrohen menjëherë”- theksoi shefi i shtabit gjeneral të Armatës ruse.
 
Lidhur me incidentin presidenti i Turqisë, Erdogan, ka realizuar një bisedë telefonike me presidentin amerikan, Barak Obama. 
 
Dy presidentët janë pajtuar për nevojën e uljes së tensioneve mes Ankarasë dhe Moskës.
 
Njëherit, Obama citohet të ketë deklaruar se Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja e mbështesin të drejtën e Turqisë për mbrojtjen e “sovranitetit” të saj.
 
Për qetësi ka apeluar edhe shefja e Diplomacisë Evropiane, Mogerini, sipas të cilës të dyja palët nuk duhet të lejojnë që situata të eskalojë. 
 
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka anuluar vizitën e paraparë për sot në Turqi dhe ka ftuar rusët që të mos udhëtojnë në Turqi për çfarëdo arsye.
 
Derisa para Ambasadës turke në Moskë kanë protestuar qindra qytetarë rusë.
 
GYLTENE SINANI