Botë

Hapen shkollat dhe metrotë, Brukseli ende nën masa të rrepta sigurie

25.11.2015 12:21

Shkollat dhe një pjesë e metrove në Bruksel janë rihapur sot, por situata vazhdon ende të jetë e tensionuar...

Policia është ende në kërkim të të dyshuarit kryesor për sulmet e 13 nëntorit në Paris së bashku me 10 të tjerë për të cilët autoritetet dyshojnë se mund të kishin qenë duke planifikuar të tjera akte te dhunshme.
 
Qeveria belge planifikon ta rishikojë statusin e alarmit në kryeqytet vetëm javën e ardhshme.
 
Shkollat e qytetit mbroheshin sot nga 300 oficerë policie shtesë, disa prej të cilëve bënin roje jashtë portave të tyre, teksa prindërit sillnin fëmijët drejt institucioneve arsimore.
 
Më shumë se gjysma e stacioneve të metrove në qytet janë hapur, kryesisht në qendër, ndërkohë që në to janë vendosur rreth 200 ushtarë në mbrojtje të tyre. 
 
Salah Abdeslam, 26 vjeç, është ende në arrati. Qeveria belge ka bërë të ditur se ai mund të jetë i armatosur dhe i rrezikshëm, si dhe mund të jetë duke hartuar të tjera sulme.
 
Më shumë se 24 persona janë ndaluar në Bruksel që prej 13 nëntorit, pavarësisht se vetëm 5 prej tyre mbahen ende të arrestuar, ndërsa pjesa tjetër është liruar.
 
Të ndaluarit janë ngarkuar me akuza për terrorizëm, përfshi 3 prej të cilëve ndihmuan Abdeslamin me makinat e tyre t’u largohej ngjarjeve të Parisit.
 
Por, me gjithë qetësimin në dukje të situatës, shqetësimet janë evidente. Një festim masiv për Vitin e Ri në një qendër në Bruksel është anuluar. 
 
BELINDA KOKA-ADEMI