Futboll
Champions League, të mëdhatë kërkojnë kualifikimin
25.11.2015 14:42
UEFA Champions League në raundin e pestë të fazës së Grupeve do të konfigurojë një pjesë së tablosë me skuadrat që do të hedhin hapin drejt raundit tjetër...

Grupi më intrigues i mbrëmjes së Mërkurë është B-ja ku 4 ekipe janë në garë për dy bileta. Në Moskë,
Ëolfsburgu sfidon të ftohtin dhe CSKA-në në një 90 minutësh shumë të rëndësishëm për të ardhmen e të dyja skuadrave në këtë eveniment.
Gjermanët mbajnë vendin e tretë në grup me 2 pikë më shumë se rusët dhe një sukses i mundshëm do të siguronte një bonus të rëndësishëm për “ujqërit” por nga ana tjetër CSKA mbetet një “kockë” e fortë në shtëpi dhe kjo është një nga përballjet më të paparashikueshme të mbrëmjes.
Ndërkohë, në “Old Trafford”, Manchester United mund të mbyllë llogaritë me PSV Eindhoven për të hedhur hapin e madh.
Anglezët që zhgënjyen në sfidën e parë ku u mundën 2-1 janë ende në fazë kolaudimi dhe kjo ndeshje do të tregojë pjekurinë e vërtetë të ekipit të Van Gaal që kiryeson grupin me 7 pikë, 1 më shumë se kampionët e Holandës që gjithsesi mbeten një kundërshtar i rrezikshëm.
Në Grupin D, Juventus dhe Manchester City janë shumë pranë realizimit të objektivit ku nga ky takim program ynë do të bëj transmetim të drejtpërdrejtë.
Bardhezinjtë si nënkampionë në fuqi kërkojnë ta mbyllin Grupin në vendin e parë por fillimisht duhet të kalojnë “Citizens” që vijnë pas dy fitoreve ndaj Sevillas dhe me petkun e liderit.
Humori është i ndryshëm në dy kampet sepse kampionët e Italisë i dhanë vazhdimësi sezonit me një sukses ndaj Milanit, ndërsa miqtë u thyen në “Etihad” nga Liverpooli duke humbur përkohësisht kontaktet me vendin e parë në kampionat.
Në rast të një hapi fals nga ana e bardhezinjve shpresat janë të vogla për Sevillan që sfidon Borussia Monchengladbach. Andaluzianët renditen në vendin e parafundit me vetëm 3 pikë, 1 më pak se gjermanët.
Në Grupin A situata është më e qartë pasi Reali që kryeson me 10 pikë viziton Shakhtar Donetsk, ndërsa Malmoe pret Paris Saint Germain që me një fitore do të priste biletën për në fazën tjetër.
Në grupin C, Atletico Madrid sfidon Galatasaray në “Vincente Calderon”, ndërsa Benfica udhëton në Astanan e largët.
Portugezët kryesojnë grupin me 9 pikë të ndjekur nga skuadra e Simeones me 7.
