Botë
“Gazprom”-i kërcënon Kievin, mesazh edhe për Evropën e Turqinë
25.11.2015 14:46
Një ditë pas rrëzimit të avionit rus në qiellin turko-sirian, Moska kërcënon sërish të ndërpresë furnizimin me gaz për Evropën...

Që para disa javësh, kolosi rus i gazit paralajmëroi se qasja e Kievit ndaj gazsjellësit i kishte ditët e numëruara.
Ky është një skenar, i cili vazhdon që prej 2006-ës. Ukraina, në nevojë financiare, është nën trysni të madhe në kufijtë e saj lindorë për mosshlyerjen e detyrimeve ndaj “Gazprom”-it dhe i kujton BE-së dhe ShBA-ve impenjimet e tyre ndaj saj.
Moska, nga ana e vet, nuk heziton t’i kujtojë Evropës se, nëse Ukraina nuk paguan detyrimet, do të rrezikojë të kalojë një dimër të ftohtë.
Varësia nga gazi i Moskës është një burim i përhershëm shqetësimi për BE-në, duke qenë se ai mbulon 50 për qind të nevojës për energji të kontinentit të vjetër.
Por këtë herë, mesazhi duket se nuk i drejtohet vetëm Evropës.
Edhe Turqia, e cila deri disa ditë më parë nënshkruante marrëveshje me Moskën për të çuar gazin rus drejt Perëndimit, duke shmangur Ukrainën, duhet të rrisë nivelin e vigjilencës.
Nga brigjet ruse në Detin e Zi ajo importon më shumë se gjysmën e nevojës së saj kombëtare. Moska ka treguar se di të shfrytëzojë më së miri armën e shantazhit energjetik.
GAZMEND KURTISHI
