Botë
Rriten tensionet Moskë –Ankara, NATO konfirmon: Avioni rus hyri në Turqi
25.11.2015 16:04
Pas përkeqësimit të raporteve ruso-turke si rrjedhojë e rrëzimit të avionit rus nga Turqia, Pakti Veriatlantik bën thirrje për qetësi mes dy vendeve dhe kërkon që situata të mos përshkallëzohet...

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në deklaratën e tij pas takimit urgjent me aleatët e NATO-s, nga Brukseli ka theksuar se avioni rus kishte hyrë në hapësirën ajrore turke dhe se NATO mbështet ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit territorial të aleatëve të NATO-s.
Gjithashtu ka theksuar se ka pasur kontakte me zyrtarë të Moskës dhe Ankarasë, por jo mes zyrtarëve të NATO-s dhe Rusisë.
“Unë kam shprehur më parë shqetësimet e mia në lidhje me implikimet e veprimeve ushtarake të Federatës ruse afër kufijve të NATO-s. Kjo thekson rëndësinë e të pasurit dhe respektuarit të marrëveshjes për të shmangur incidente të tilla në të ardhmen. Siç e kam përsëritur disa herë, ne solidarizohemi me Turqinë dhe mbështesim integritetin territorial të aletit tonë, Turqisë. Diplomacia dhe deeskalimi janë shumë të rëndësishme për të zgjidhur këtë situatë”- deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka cilësuar sulmin e ushtrisë turke si një thikë pas shpine, të ardhur nga mbështetësit e terrorizmit. Lideri i Kremlinit tha gjithashtu se kjo ngjarje do të ketë pasoja serioze për marrëdhëniet Rusi-Turqi.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka bërë me dije anulimin e vizitës që kishte planifikuar të zhvillonte në Turqi ditën e mërkurë.
Çështja e rrëzimit të avionit rus nga Turqia ka shkaktuar edhe reagimin e ndërkombëtarëve.
Presidenti amerikan, Barak Obama, në një bisedë telefonike me presidentin turk, Erdogan, ka theksuar të drejtën e Turqisë për mbrojtjen e sovranitetin të saj, duke potencuar mbështetjen e ShBA-ve në këtë drejtim.
Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon, kërkon masa urgjente që do t’i ulnin tensionet mes vendeve.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka vlerësuar ndërkohë se incidenti do ta rëndojë punën e zgjidhjes së krizës siriane.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
