Maqedoni

Ali Pashë Tepelena dhe Ibrahim Temo, figurat e shquara kombëtare në pullat postare

25.11.2015 16:16

Me rastin e festës së 28 Nëntorit, ITKSh në bashkëpunim me Postat e Maqedonisë promovoi dy pulla postare të figurave të shquara të historisë kombëtare, Ali Pashë Tepelenës dhe Ibrahim Temos...

Me këtë rast u shënua edhe 275 vjetori i lindjes së Ali Pashë Tepelenës dhe 150 vjetori i lindjes së Ibrahim Temos.
 
“Bashkëpunimi mes këtyre dy institucioneve është i mirëfilltë dhe i përafërt dhe ka rezultuar që shumë pulla postare të dalin me të kaluarën, duke pasqyruar si aspektin e historisë, kulturës, trashëgimisë kulturore të pasur të shqiptarëve të këtyre trevave, sidomos trevave të Maqedonisë”- tha drejtori i ITKSh-së, Skender Hasani.
 
“Pullat postare janë të përjetshme, të vetmet vepra arti ku arti në një hapësirë shumë të vogël, por jo të parëndësishme, paraqet figura, epoka, veprimtari… Këto dy pulla postare që po i promovojmë sot do të gjinden në shumë letra, kartolina, dërgesa postare, do të udhëtojnë anembanë botës, duke përcjellë një ide të fuqishme për tejkalimin e distancave”- theksoi drejtori i Postave të Maqedonisë, Faris Rexhepi.
 
“Ali Pashë Tepelena ishte sundimtar më i fuqishëm i Shqipërisë së Jugut, themelues i pashallëkut të Janinës dhe kryengritës kundër administratës së portës së lartë në trevat shqiptare… Ibrahim Temo ka hyrë në histori si një  figurë e gjithanshme që rrallë ndeshet te popujt e Ballkanit. Ishte demokrat revolucionar i përmasave të gjëra që i kalonte kufijtë e kombit të vet, madje edhe ato ballkanike dhe të Perandorisë Osmane”- u shpreh profesori, Nebi Dervishi.
 
Pullat postare që u promovuan sot janë me vlerë nominale prej 16 dhe 18 denarëve të shtypura në tirazh prej nga 8 mijë ekzemplarë, ndërsa autor është Larisa Zhivkovska-Donev nga Byroja e Filatelisë pranë Postës së Maqedonisë. 
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI