Trajanovski nuk jep dorëheqje, kërkon nga LSDM të japë ide konkrete për projekte
“Ndotja e ajrit në Shkup është problem shumëvjeçar dhe nëse dikush kërkon dorëheqjen time, duhet të ketë propozime konkrete për zgjidhjen e këtij problemi”...

Kështu u shpreh kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski, ndaj kërkesës së LSDM-së për të dhënë dorëheqje për shkak të keqmenaxhimit të kryeqendrës. Trajnovski vlerësoi se në kërkesat e LSDM-së nuk kishte asgjë të re.
Për përmirësimin e ndotjes së ajrit dhe për problemet infrastrukturore të Shkupit po punojmë konkretisht dhe në mënyrë intensive, tha Trajanovski.
“LSDM nuk propozoi diçka të re, diçka revolucionuese, nuk propozoi diçka të panjohur për shërbimet e Qytetit të Shkupit. Sektori pranë Qytetit të Shkupit, që është përgjegjës të ndjek problematikën me ndotjen e ajrit, në të kaluarën në debate publike kushtuar kësaj çështje është lavdëruar disa herë. Mund t’ju them se Qyteti i Shkupit në kuadër të kompetencave të tij jep maksimumin për përmirësimin e ndotjes së ajrit në Shkup”- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski.
Kërkesa për dorëheqjen e kreut të Shkupit u bë dje nga LSDM gjatë miratimit të buxhetit të kryeqendrës, që sivjet peshon 6.9 miliardë denarë. LSDM akuzoi Trajanovskin se nuk parashikon buxhet për mbrojtjen nga ndotja, duke kontribuar kështu në ngufatjen e banorëve.
PDSh, ndërkohë, akuzoi se në buxhetin e vitit të ardhshëm nuk ka para për projektet shqiptare, por BDI thotë se për projektet në vendbanimet shqiptare, vetëm në sferën e urbanizmit, për 2016 janë ndarë 330 milion denarë, si dhe mjete të tjera për investime në sektorin e arsimit, sportit, kulturës dhe infrastrukturës rrugore. (Rexhep Qamili, TVM2)
