Bruksel, Besimi takon Hanin, Han: Përmbahuni rekomandimeve në raport
Eurokomisari për zgjerim, Johanes Han, ka porositur qeverinë që t’u përmbahet rekomandimeve të KE-së të shtruara në progres-raportin e fundit...

Mesazhi i është dhënë zëvendëskryeministrit, Fatmir Besimi, sot në Bruksel. Ndërkaq, Besimi ka njoftuar komisarin Han për qasjen e qeverisë ndaj raportit dhe aktivitetet që janë ndërmarrë në zbatimin e rekomandimeve.
"Ajo për çka u fol ishin rekomandimet në raport, gjegjësisht ajo që pritet nga Republika e Maqedonisë, ndërsa ato janë gjëra shumë qartë të vendosura nga ana e eurokomisarit. Bëhet fjalë për implementimin e marrëveshjes politike dhe obligimet që janë ndërmarrë me këtë marrëveshje përmes qasjes konstruktive nga ana e të gjitha partive politike, posaçërisht lidhur me funksionimin e institucioneve ku ka përfaqësues të më shumë partive politike"- deklaroi zëvendëskryetari i Qeverisë, Fatmir Besimi.
Veç reformave që priten të zbatohen nga Maqedonia, dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar edhe për krizën e refugjatëve.
"Këtu pritet qasje e hapur nga ana e Republikës së Maqedonisë dhe koordinim i përforcuar lidhur me mbështetjen dhe planin e Bashkimit Evropian përkundër konkluzioneve që janë miratuar në konferencën e fundit rajonale në Bruksel kushtuar Ballkanit Perëndimor për krizën e refugjatëve"- theksoi zëvendëskryetari i Qeverisë, Fatmir Besimi.
Në takimin e parë pas publikimit të raportit të progresit, Han dhe Besimi kanë diskutuar edhe rreth rekomandimeve që janë në fazë të përgatitjes nga ana e vendeve anëtare të Unionit, në prag të samitit të dhjetorit, por edhe për bashkëpunimin deri në zgjedhjet në Maqedoni.
Në frymën e bashkëpunimit, eurokomisioni Han do të dërgojë ekip të ekspertëve që do të bënte vlerësim, por edhe do t'i ndihmonte vendit në realizimin e rezultateve të pritura në zbatimin e rekomandimeve në raportin e progresit. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
