Kulturë

ITShKSh dhe Instituti i Historisë–Tiranë, promovohet libri i Hamit Kokalarit për Shkupin

25.11.2015 16:52

Për herë të parë Instituti i Trashëgimisë Kulturore të Shqiptarëve në bashkëpunim me Institutin e Historisë së Tiranës promovuan një vepër të përbashkët...

Bëhet fjalë për librin e autorit, Hamit Kokolari, “SHKUP-Konsiderata etnografike, historike, ekonomike të vitit 1942”, i përgatitur për botim nga akademiku, Marenglen Verli.
 
Autori, Hamit Kokolari, me veprën e tij pasqyron historinë në vazhdimësi iliro-arbërore-shqiptare të Shkupit.
 
“Ka shërbyer në dikastere të ndryshme kryesisht në profilin e diplomacisë dhe ajo që e qasi atë në këtë regjion e bërë atë autor të një libri për këtë regjion pikërisht, sepse në vitet e Luftës së Dytë Botërore, në Konsullatën e Shkupit ai ishte si një diplomat i vyer për botën shqiptare”- deklaroi akademiku, Marenglen Verli.
 
“Materiali është aq i vlershëm, që më të vërtetë ia vlen ta kenë studentët, studiuesit e ri në dorë për të parë se çfarë të dhënash dhe çfarë materiale ka sjellë ky albanolog i shquar i kohës së tij. Hamit Kokolari është një shkencëtar i angazhuar për t’u përgjigjur flakë për flakë nevojave që kishte kombi i tij”- tha drejtori i Institutit të Historisë në Tiranë, Beqir Meta.
 
“Do të jetë edhe një frytdhënës për gjeneratat e reja, që të hulumtojnë nëpër arkiva dhe në bazë të argumenteve të vërtetojnë këtë vazhdimësi të shqiptarëve në Shkup, por jo vetëm në Shkup, por për gjithë historiografinë shqiptare”- u shpreh drejtori i ITKSh-së, Skender Hasani.
 
Botimi i librit është mbështetur edhe nga Komuna e Çairit. 
 
“Ai me vizionin e tij dhe largpamësinë prej një atdhetari të pashoq punoi pareshtur për të drejtat kombëtare të shqiptarëve të Shkupit dhe trojeve tjera shqiptare. Por, ai na la trashëgim edhe këtë vepër shumë të rëndësishme me të dhëna etnografike, historike dhe ekonomike për Shkupin”- theksoi kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
 
Të dy institucionet kanë në proces projektet tjera, siç janë botimet e dokumenteve austro-hungareze për shqiptarët e Shkupit dhe të trevave lindore. 
 
REJAHNE BUSHI-METAJ