Kufiri Maqedoni-Shqipëri, Neziri: Nuk ka kamionë që presin në kufi
Produktet bujqësore me origjinë nga Republika e Shqipërisë nuk do të presin në kufi....

Kështu ka premtuar ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri, pasi një ditë më parë, në kufirin midis dy vendeve, me urdhër të Inspektoratit për Ushqim dhe Veterinari, që është nën ingerenca të Ministrisë së Bujqësisë, u ndaluan transportuesit me arsyetimin se duhet të kryhen analizat e prodhimeve që hyjnë në Maqedoni.
Neziri tha se do të kërkojë të ndryshohet rregullorja e brendshme në Ministrinë e Bujqësisë me qëllim që të mos pengohet këmbimi tregtar.
“Nuk ka asnjë kamion që pret, as sot, as nesër, as pasnesër, deri sa të ndryshohet rregullorja e Ministrisë së Bujqësisë ne jemi marrë vesh që asnjë kamion të mos ndalohen në kufi. Shqipëria mund të kundërpërgjigjet nëse përsëritet një gjë e tillë edhe një herë. Raportet mes Maqedonisë dhe Shqipërisë janë mjaftë të mira, nëse përsëriten këto gjëra edhe unë si ministër i Ekonomisë jam pro asaj gjëje, sepse ministri i Bujqësisë nuk mund të vendos një masë që do të dëmtojë këmbimin tregtar mes dy vendeve”- deklaroi ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.
Maqedonia është nënshkruese e CEFTA-s dhe ne nuk mund t’i ndalojmë kamionët në kufi, duke e ditur se ato produkte prishen kollaj. Produktet bujqësore mund të vendosen në vende të përshtatshme derisa të kryhen analizat, por assesi të presin transportuesit në kufi, nënvizoi ministri, Bekim Neziri. (Naim Ramadani, TVM2)
