Grupi punues, vazhdojnë bisedimet për mediat

25.11.2015 17:25

Pas disa ditëve ndërprerje, në Klubin e deputetëve vazhduan bisedimet për rregullimin e çështjes së mediave...

Ndërmjetësi në bisedime, Piter Vanhojt, pas kthimit nga Brukseli mblodhi të katër palët në bisedime, por nuk përfshiu Shoqatën dhe Sindikatën e Gazetarëve.

Ata të premten kërkuan të kyçen në bisedime, në të kundërtën nuk do të pranojnë vendimet që do të dalin nga Grupi punues dhe do të kërkojnë nga mediat që të bojkotojnë zgjedhjet. Burime brenda bisedimeve shprehen të përmbajtur për kërkesën e Shoqatës dhe Sindikatës së Gazetarëve.

Kyçja e tyre në bisedime do të detyronte përfshirjen në bisedime edhe të të gjitha shoqatave të gazetarëve, thonë nga Grupi punues.

Në tavolinën e bisedimeve veç më janë hapur disa tema, si ndërprerja e reklamimit qeveritar gjatë fushatës zgjedhore, servis i pavarur publik, si dhe reforma në Agjencinë për Shërbime Audio dhe Audio-vizuele.

Partitë politike për momentin nuk kanë ndryshuar propozimet e tyre. Pritet që ndërmjetësi Vanhojt t’ua shpalosë propozimet konkrete që ka sjellë nga Brukseli.

Kanë mbetur edhe dy ditë deri të premten kur Grupi punues do të duhet të mbyllë këtë çështje, pasi afati i caktuar në marrëveshje u shkel më 20 nëntor. (Meral Ismaili, TVM2)